Drita ka vazhduar ecurinë pozitive këtë kampionat, derisa ka marrë edhe fitoren e tretë.
Bardhekaltërtit kanë triumfuar në udhëtim te Drenica 0-2, falë golave nga Almir Ajzeraj dhe Hamdi Namani.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu tha se janë pozicionuar mirë dhe nuk i kanë lënë hapësira Drenicës, derisa tha se kjo fitore është për Intelektualët.
“Çdo fitore ia dedikojmë “Intelektualëve”, duhet t’i përgëzoj djemtë për një ndeshje të luftuar nga e gjithë skuadra. Një ndeshje ku jemi pozicionuar në mënyrën me të mirë, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit.Kjo fitore është meritë e futbollistëve dhe ia dedikojmë “Intelektualëve” ku na kanë përkrahur gjatë gjithë ndeshjes”, tha Nuhiu.
Tutje trajneri shkupjan i Dritës i është përgjigjur edhe Lushtakut i cili tha se gjilanasit janë mbrojtur me pesë mbrojtës.
Sipas Nuhiut në asnjë moment skuadra e tij nuk ka luajtur me pesë mbrojtës.
“Ndërsa ne me këmbë në tokë e kemi ditur se kemi një kundërshtar të vështirë pasi jo rastësisht i kanë 10 pikë, por që ne luftuam fortë dhe e fituam ndeshjen me plotë meritë”.
“Në asnjë moment nuk kemi luajtur me 5 futbollistë në mbrojtje, por kemi luajtur taktikisht dhe kemi shfrytëzuar në mënyrën me të mirë ato raste që kishim”, deklaroi Nuhiu. /Gazeta Olle/