Drita është mposhtur në derbin e xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Gjilanasit humbën ndaj Ballkanit në shtëpi, me rezultat minimal 1-0, shkruan Gazeta Olle.
Golin e vetëm për portokallinjtë e realizoi Solomon në minutën e 71-të, pak minuta masi u fut në lojë.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se skuadra që ai drejton nuk do të ndalet së luftuari për titull kampioni deri në fund, pasi kampionati është i gjatë sipas tij.
“Mendoj se që të dyja skuadrat luajtën lojë të taktizuar. Futbollistët e mi bënë mjaftueshëm për të marrë barazim, apo edhe më tepër. Në pjesën e parë kishim më shumë nga loja. Edhe pjesën e dytë e nisëm mirë, por kundërshtari na mposhti nga ndërprerja. Duhet të vazhdojmë sepse kampionati është i gjatë. Duhet të përgatitemi për ndeshjet tjera”, u shpreh Nuhiu pas ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Ballkani “blindon” vendin e parë me 45 pikë, teksa Drita mbetet në vendin e tretë me 41 sosh. /Gazeta Olle/