Nuhiu flet për përballjen me Feyenoordin: Forca e tyre na motivon, në futboll ndodhin befasitë dhe të shpresojmë edhe ne një gjë të tillë

Drita është bërë skuadra e parë në histori të futbollit kosovar që kalon një raund në UEFA Conference League.

Gjiganti kosovar më herët kishte arritur të kaloj raund edhe në Ligën e Kampionëve, por edhe në Ligën e Evropës.

Gjilanasit në raundin e parë të Ligës së Konferencës u përballen me skuadrën shqiptare nga Mali i ZI, FC Deçiq të cilën e mposhtën në dy takime, 2-1 dhe 0-1.

Dritën tani e pret një kundërshtar shumë i vështirë, Feynoord Roterdam, skuadër holandeze që më parë ka fituar një herë Ligën e Kampionëve dhe dy herë të tjera Ligën e Evropës.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit të skuadrës së tij në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.

Në një prononcim për Gazetën Olle, Nuhiu ka thënë se për të është kënaqësi e madhe që do të përballet me një skuadër si Feyenoord, por në të njëjtën kohë edhe privilegj.

“Për mua personalisht do të jetë një eksperiencë shumë e mirë, kënaqësi njëkohësisht edhe përgjegjësi për ta analizuar kundërshtarin, të përballet me një gjigant të tillë siç është Feyenoordi”.

“Ata kanë një trajner shumë të mirë i cili ka bërë gjëra të bukura edhe vitin e kaluar me AZ Alkmaar, besoj se nga vet analiza do të mësojë shumë gjëra”, u shpreh Nuhiu për Gazetën Olle.

Tutje trajneri shkupjan tha se nuk duhet të kenë frikë, por që forca e kundërshtarit do t’i motivojë për të bërë paraqitje të mirë.

“Forca e kundërshtarit duhet të na motivojë edhe më tepër që të bëjmë paraqitje të mirë. Futbollistët e kanë merituar këtë ndeshje me paraqitjen që kishin kundër një skuadre shumë të fortë siç ishte Deçiqi, por edhe jam i bindur se çdonjëri e ka ëndërruar një ndeshje të tillë”.

“Lojtarët e mi nuk janë rastësisht këtu, e kanë merituar me punën që kanë bërë ndër vite, do ta shohin këtë takim si një mundësi të mirë për të treguar vlerat dhe cilësitë që kanë, do të japim zemrën në fushë për të bërë paraqitje të mirë”, vazhdoi tutje Nuhiu për Ollen.

Krejt në fund trajneri i bardhekaltërve deklaroi se në futboll gjithmonë ndodhin befasi dhe ata shpresojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

“Ne nga kjo ndeshje vetëm mund të mësojmë… Do të japim maksimumin që të paraqesim futbollin kosovar në mënyrën më të mirë”.

“Në futboll gjithmonë ndodhin befasi, është sportive të mundohemi dhe të shpresojmë për një gjë të tillë”, përfundoi Ardian Nuhiu.

/Gazeta Olle/

Astrit Selmani në top formë, shënon gol vetëm pas 26 sekondave lojë

Sociedadi e vlerëson lartë paraqitjen e tij, Januzaj shkëlqen në miqësore me një gol fantastik dhe asistim maestral