Nuhiu flet për përballjen me Ballkanin: Drita gjithmonë kërkon maksimumin

Drita është nikoqire e Ballkanit në super derbin e xhiros së katërt në BKT Superligën e Kosovës.

Të dy skuadrat kanë pikë të barabarta pas tri xhirove ku kanë grumbulluar nga shtatë sosh.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur në konferencë për shtyp para përballjes me suharekasit.

Nuhiu ka thënë se ka përgatitur ekipin mjaftë mirë për këtë takim i cili është shumë i rëndësishëm.

“Do të përballemi me një skuadër që këto dy vite të fundit kemi zhvilluar përballje të mira por edhe të forta. Kjo për shkak të cilësisë individuale por edhe aspektit ekipor”.

“Kjo do të jetë një ndeshje ndaj Dritës dhe Ballkanit, nuk diskutohet se do të jetë një ndeshje e taktizuar nga të dy ne trajnerët. Ne kemi analizuar kundërshtarin në rreziqet që mund t’i kemi në aspektin individual dhe atë ekipor dhe ne si skuadër gjatë kësaj periudhe dy ditore kemi punuar maksimalisht për ndeshjen e nesërme”, tha Nuhiu.

Tutje trajneri shkupjan i Dritës ka deklaruar se është duke u zhvilluar një kampionat i barabartë dhe se diferencat mes ekipeve janë të vogla.

“Ne po shohim një kampionat të barabartë dhe diferencat në mes ekipeve janë të vogla. Po shohim se nuk ka ndeshje të lehta dhe kjo më së miri e dëshmoi se me sa vështirësi e kemi mposhtur Malishevën, ka momente edhe kur fusha na penalizon por ne nuk duhet të gjejmë justifikim aty por të krijojmë raste dhe të fitojmë ndeshjen”.

Krejt në fund trajneri i bardhekaltërve ka deklaruar se ndaj Ballkanit kërkon pikët maksimale.

“Ne si Drita gjithmonë e kërkojmë maksimumin. Ne po shohim një kampionat të vështirë pasi edhe kundërshtarët tanë po arrijnë fitore me mjaft vështirësi, ne hyjmë në çdo ndeshje për pikët maksimale. Edhe për ne kuptohet se është vetëm fillimi i kampionatit dhe ka disa futbollistë që ende nuk e kanë gjetur me të mirën e tyre”, përfundoi Nuhiu.

Drita dhe Ballkani përballen të mërkurën me fillim nga ora 16:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan. /Gazeta Olle/

Mbushet infermieria e Realit, Ancelotti me dhimbje koke

Cuculi: Kam respekt për Ballkanin, por duam t’i marrim tri pikët