Notat e lojtarëve të Kombëtares

I shkëlqyer Mavraj, që na rifut në lojë, ndërsa Gashi pragmatist dhe i zgjuar shënon golin me vlerën e 3 pikëve. Mjaft mirë edhe Taulant Xhaka. Lenjani “thesar” kuqezi. Ja notat e ‘Sport Ekspres’ në Shqipëri.

 

 

Xhani De Biazi  8

Ia ka dalë të fitonte ndeshjen më të vështirë të karrierës, siç e kishte cilësuar edhe vetë, madje duke përmbysur gjithçka, pasi fati nuk ishte në anën tonë që në fillim. Edhe këtë herë është treguar besnik i formacionit, që jep garanci në prapavijë, edhe pse për ta fituar ndeshjen duheshin më shumë forca përpara. Pësimi i golit vetëm pas 4 minutash lojë ka bërë që ta përjetojë ndeshjen me më shumë emocione, që i ka treguar hapur në çdo rast. Ka reaguar me shumë zgjuarsi në pjesën e dytë, duke hedhur në fushë “kartat” fituese, Lenjanin dhe Gashin, të cilët projektuan dhe realizuan golin e dytë. Interesante skemat e trajnerit kuqezi në goditjeje standarde, ku ai e kishte një të tillë në çdo rast.

 

 

 

Etrit Berisha   6.5

Nuk ka pasur thuajse fare punë dje dhe me tepër ka qenë një tifoz i kombëtares shqiptare në fushë. Sigurisht që nuk ka faj në rastin e autogolit të Mavrajt, por ajo që ka rënë në sy ishte pasiguria e tij në momentet e fundit të ndeshjes, kur Armenia ekzekutoi 2-3 goditje standarde. Madje, në njërën prej tyre, i ka shpëtuar topi nga duart, por për fat të mirë ky gabim nuk është shfrytëzuar nga kundërshtari. E vështirë për t’i vënë një notë,s sepse u vu shumë pak ose aspak në provë.

 

Lorik Cana 7

Kapiteni kuqezi ka bërë një ndeshje relativisht të mirë. Ka qenë ai Cana i zakonshëm, një trajner në fushë për skuadrën. Ndoshta është treguar më i butë këtë herë në rastin e golit të armenëve, ku nuk ka ndërhyrë për të mos shkaktuar 11-metërsh. I kujdesshëm dhe lider në fushë, duke i dhënë kurajë skuadrës edhe në momentet më të vështira, kur minutat po kalonin dhe goli nuk po dilte në dritë. Vetë prania e Canës dhe Mavrajt në qendër të mbrojtjes është një siguri e madhe për kombëtaren shqiptare, pasi të dy përbëjnë një dyshe tashmë të afirmuar.

 

Mërgim Mavraj   8

Ka meritën kryesore në fitoren e djeshme, pasi ka arritur të barazojë me kokë në një moment delikat të ndeshjes, kur koha e mbetur në dispozicion po bëhej gjithmonë e më e pakët. I pafat, teksa shkaktoi atë autogol klasik, por mbrëmë ka arritur të mposhtë “magjinë”, duke goditur me shumë zgjuarsi në golin e barazimit. Dhe ka sakrifikuar, duke u aktivizuar, kur askush nuk e priste. Ka goditur edhe shtyllën para se të barazonte. Një lojtar kyç për kuqezinjtë.

 

 

Elseid Hysaj    6.5

Një nga ndeshjet më të dobëta të mbrojtësit shkodran, që kur ai është pjesë e kuqezinjve. Nuk kemi parë Hysajn e pagabueshëm në mbrojtje dhe të palodhur në inkursionet në krahun e djahtë. Eshtë normale që një lojtar të mos jetë në nivelin e tij të zakonshëm në një ndeshje dhe dje ka qenë një ditë “jo” për Elseid Hysajn. Thuajse e gjitha loja e skuadrës sonë është zhvilluar në krahun e majtë, ndërkohë që ishte ai që gaboi në pasim, kur Armenia shënoi në portën tonë. Megjithatë, nuk mund të kryqëzohet, sepse ishte vetëm një ndeshje.

 

 

Ansi Agolli     8

Një nga më të mirët në fushë në këtë ndeshje. Përvoja bën të vetën dhe dje futbollisti kryeqytetas ka bërë gjithçka mirë, duke dhënë krosime goli në disa raste, por që nuk janë shfrytëzuar nga shokët e skuadrës. Mund të veçojmë këtu kromimin në rastin e Abrashit, që ishte thuajse një gol i sigurt. I ka habitur të gjithë dje Agolli me atë freski fizike dhe më saktësinë e tij në çdo top të dërguar në zonën kundërshtare. Bashkë me Cikalleshin, ishin dy lojtarët më në formë të kombëtares shqiptare. Mbetet shumë i rëndësishëm.

 

 

Burim Kukeli    6.5

Edhe Kukeli, një nga futbollistët më konstantë në lojën e tij, nuk ka qenë në një ditë të mirë. Mesfushori i Zyrihut ka gabuar shumë në pasime, madje edhe në ato më të thjeshta, duke e vuajtur në një farë mënyre presionin pas avantazhit të Armenisë. Sigurisht që detyra e tij është të mbrojë sa më mirë dhe të thyejë aksionet e kundërshtarit, por rolin e organizatorit nuk mund ta bëjë dot ashtu si duhet. Trajneri De Biazi i beson shumë, pasi është një futbollist mjaft taktik.

 

 

Amir Abrashi    6.5

Vetëm 45 minuta këtë radhë për Abrashin, i cili ka pasur një mundësi të artë për të shënuar golin e barazimit, por ka gabuar me kokë, pas kromimit të përpiktë të Agollit. Gjuajtjet me kokë nuk janë “arma” e tij më e fortë. Zëvendësimi i Abrashit është ndikuar pa dyshim nga rezultati, pasi Shqipërisë i duheshin më tepër lojtarë me aftësi shënuese në pjesën e dytë.

 

 

Taulant Xhaka   7.5

I palodhur dhe gjithmonë në shërbim të skuadrës. Fillimisht është aktivizuar si mesfushor i krahut të majtë, ku ka bërë përpjekje maksimale, edhe pse nuk ka shkëlqyer. Më pas, me aktivizimin e Lenjanit, ka kaluar në qendër, ku niveli i tij ka qenë më i lartë. Ka dhënë atë krosim të bukur për Mavrajn në golin e parë, duke vënë edhe ai shenjën e tij në kthesën e madhe kuqezi. Gjithmonë e më tepër bëhet një nga titullarët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare.

 

 

Ledion Memushaj 6.5

Vlonjati nuk ka mundur të lërë gjurmë në 45 minutat e para. Trajneri De Biazi i ka besuar fanellën e titullarit dhe pritej që nga këmbët e tij të vinin sa më shumë topa për Cikalleshin, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve dhe Memushaj ka qëndruar në dhomat e zhveshjes në pushim, duke ia lënë vendin Gashit, i cili luan më pranë zonës.

 

Odise Roshi     6.5

Nuk është dukur thuajse fare në këtë për gati 70 minutat që ishte në fushë. Krahu i djathtë ka çaluar në këtë ndeshje, pasi si Hysaj, ashtu edhe Roshi, nuk ishin në formën e tyre të zakonshme. Kjo ka bërë që e gjithë ofensiva e kuqezinjve të spostohej në krahun e majtë. Pritej më shumë nga Roshi në këtë ndeshje, që duhej fituar me çdo kusht, por inkursionet e tij kanë munguar.

 

 

Sokol Cikalleshi           8

Ka bërë gjithçka, por nuk ishte e thënë që të shënonte në këtë ndeshje sulmuesi i vetëm i kuq     zinjve. Kavajasi ka shpenzuar shumë energji, duke e tërhequr skuadrën përpara dhe duke e mbrojtur mirë topin nga kundërshtari. Dy herë shtyllat dhe një herë portieri armen i kanë thënë “jo” golit të Cikalleshit, por ndeshja e tij ka qenë e një niveli mjaft të lartë. Do të ishte gjithçka perfekte, nëse do të kishte shënuar, por rëndësi ka që ai e ka bërë detyrën e tij. Duket se sulmuesi kavajas ka fituar kuota në raport me Balajn në zgjedhjet e trajnerit De Biazi, pasi luan më mirë me topin.

 

Ermir Lenjani   7

Pritej titullar, por është hedhur në fushë në pjesën e dytë. Lenjani i ka dhënë edhe më tepër gjallëri krahut të majtë dhe ka shtuar rrezikun në portën armene. Nga këmbët e tij ka ardhur goli i dytë, teksa ka dhënë atë kros shumë të saktë për Gashin. I vështirë për t’u ndalur në krahun e majtë dhe fanella e kombëtares duket se e elektrizon futbollistin e Renë në kampionatin francez.

 

 

Shkëlzen Gashi  7.5

Fati e deshi që goli i parë me fanellën kuqezi të ishte “i rëndë”. Futbollisti i Bazelit ka treguar se jo më kot është më i miri i kampionatit zviceran. Me nuhatjen dhe zgjuarsinë e tij ka qenë në kohën dhe vendin e duhur për të shënuar golin e fitores për Shqipërisë. Në ndeshjet e ardhshme do të ketë mundësinë të japë më shumë për Shqipërinë.

 

 

Hamdi Salihi    pa notë

Ka marrë vendin e Roshit 20 minutat e fundit, pasi është një sulmues i rrezikshëm në zonën kundërshtare dhe ka më shumë përvojë. E ka kërcënuar portën armene vetëm në një rast, por pa mundur të shënojë.