Brajan Gruda te Gjermania. Talenti 19-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili është paraqitur shumë mirë këtë sezon në Bundesliga me ekipin e Mainzit, ka zgjedhur të përfaqësojë vendlindjen dhe jo origjinën.
Sulmuesi i djathtë, autor i 4 golave dhe 3 asisteve me Mainzin në kampionatin që sapo përfundoi, do të nisë stërvitjen me Gjermaninë në javën e ardhshme.
Trajneri Julian Nagelsmann e pëlqen shumë dhe ka vendosur ta bëjë pjesë të përgatitjeve të Gjermanisë për Europianin që do të zhvillohet në shtëpi.
Lojtari ofensiv do të stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës, por vetëm kaq. Pasi nuk do të jetë pjesë e Gjermanisë në Euro 2024.
Gjithsesi, shtypi gjerman raporton se Gruda do të ketë mundësitë e tij pas kompeticionit, me Nagelsmann që e sheh si një potencial dhe kandidat për përfaqësimin e 4 herë kampionëve të botës në Botërorin e vitit 2026.
19-vjeçari i lindur në Speyer, ka luajtur me të gjithë kombëtaret e moshave të Gjermanisë. Nga U15 deri në U21.