Prishtina në Evropë mposhti kampione si ato të San Marinos, Andorrës, Uellsit dhe Norvegjisë, duke u eliminuar nga këta të fundit pas dy ndeshjeve.
Kampionët në fuqi iu kthyen futbollit vendor në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, kundër Llapit ku pësuan humbje me rezultat 3-1 në vazhdime.
Para ndeshjes u pa që Prishtina nuk i ka bërë mirë llogaritë për këtë sezon, pasi në formacionin prej 18 lojtarësh, në bankën rezervë kishte vetëm asnjë mbrojtës (Olit Mehmeti) i ardhur para pak ditësh, kishte dy portierë, një mesfushor dhe të tjerët të gjithë sulmues, shkruan GazetaOlle.
Kryeqytetasit për këtë ndeshje duhet të bënin pa lojtarë si Sabijen Lilaj, Leonit Abazi dhe Qëndrim Zyba, që të tre të lënduar.
Shtoja kësaj edhe lojtarët e larguar si Lumbardh Dellova, Gauthier Mankenda,Tun Bardhoku, Behar Maliqi, Mërgim Pefqeli, Alban Shillova dhe Alban Muciqi, duket se Prishtina ka punuar për përforcime vetëm në sulm, duke e anashkaluar mbrojtjen dhe mesfushën.
Se te Prishtina nuk janë punët edhe aq mirë, u pa te nervozizmi i liderit të skuadrës, Endrit Krasniqi, i cili u ndëshkua me kartonë të kuq në minutën e 27-të, pas dy të verdhëve (që të dy për sjellje jo sportive).
Kjo do t’i kushtojë edhe me mungesë në ndeshjen e parë kampionale, ku do të mungojë ndaj Malishevës, shkruan GazetaOlle.
Se banka rezervë e Prishtinës ishte problem i madh e tregon edhe fakti që pas largimit të Lorik Boshnjakut, në mesfushë u kthye Leotrim Kryeziu, një lojtarë sulmues.

Në një periudhë kohe gjatë ndeshje Prishtina luante me Bleart Tolajn dhe Kryeziun në mesfushë, që nuk janë pozitat e tyre.
Me ardhjen e Sodiq Atandas do të zgjidhen disa probleme, por duket se edhe Leotrim Bekteshi po qëndron me valigje në duar dhe ndeshja ndaj Llapit, mund të jetë e fundit për të, e që shkakton një problem të ri.

Rastet e humbura, por edhe nervozizmi në periudha të lojës tregon që Prishtina duhet të përvesh mëngët për të mbrojtur titullin, pasi që kampionati fillon pas disa ditësh. /Gazeta Olle/