Një mbrojtës i ri anësorë ka filluar shkëlqimin në Superligë, Kastriot Rapuca është emri që duhet mbajtur në mend

Superliga e Kosovës ndër vite ka pasur mbrojtës anësorë shumë të mirë e të talentuar.

Mjaftojmë t’i përmendim disa nga emrat që kanë lënë gjurmë viteve të fundit në futbollin kosovar si Armend Thaqi, Besnik Krasniqi, Arbër Potoku, Ardian Limani, Ilir Blakcori apo Yll Hoxha.

Por këtë edicion një emër i ri ka shpërthyer ka shpërthyer në elitën e futbollit kosovar dhe ai është Kastriot Rapuca.

Mbrojtësi i djathtë prishtinas ka qenë fantastik këtë edicion në tetë ndeshje të zhvilluara me Ulpianën, pasi në dy prej tyre ka munguar shkaku i lëndimit.

Përpos që po luan për mrekulli në krahun e djathtë të mbrojtjes, Rapuca ka luajtur së fundmi ndaj Ballkanit edhe si mbrojtës i majtë, ku ishte ndër më të mirët në fushë, duke ndalur sulmuesit anësorë të suharekasve.

Për Rapucën ky është sezoni i dytë në Superligë, pasi në edicionin 2019/20 ishte pjesë e Drenicës për gjashtë muaj, para se të bashkohej me Ulpianën.

20-vjeçari ka folur për Gazetën Olle për formën fantastike që është duke e kaluar.

“Deri më tani jam shumë i kënaqur me formën që kam pasur, përjashtim bëjnë dy ndeshjet që i kam humbur shkaku i lëndimeve”, tha Rapuca.

Anësori këmbëshpejtë po dallohet për lojën defensive të tij, por ai shpesh herë bën mjaftë mirë edhe në repartin ofensivë me depërtimet fantastike që bën në vija.

Ulpiana deri më tani ka grumbulluar 13 pikë dhe ka zhvilluar disa ndeshje jashtëzakonisht të mira.

Lipjanasit kanë mposhtur ekipet pretendente për titull si Gjilani e Ballkani, derisa i kanë ndalur në barazim Dritën e Prishtinën.

“Kemi bërë ndeshje jashtëzakonisht të mira dhe mendoj që jemi hijeshia e Superligës këtë edicion. Mendoj që kemi më pak pikë se sa e kemi merituar. Me atë çfarë kemi treguar deri më tani në ndeshje, besoj se do të duhej t’i kishim disa pikë më shumë”, tha Rapuca.

Duke marrë parasysh formën fantastike që po kalon, Rapuca padyshim është një kandidat shumë serioz për tu grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës U21.

Prishtinasi thotë se qëllimi i tij është të punojë sa më shumë dhe të zhvillohet edhe më tepër, derisa mbetet ëndërr që një ditë ta vesh fanellën e Kosovës.

“Sigurisht që ëndrra e çdo futbollisti është ta vesh fanellën e shtetit. Unë vazhdoj të jem i fokusuar tek klubi im, të luaj vazhdimisht, të përmirësohem dhe një ditë uroj që ëndrra të më bëhet realitet”, deklaroi Rapuca.

Ndeshjen e radhës Ulpiana e zhvillon ndaj Drenicës, skuadër me të cilën ka debutuar në elitën e futbollit kosovar Rapuca.

Ai thotë se ka respekt të madh për Drenicën, por udhëtojnë për të marrë rezultat pozitiv.

“Drenica gjithmonë do ta ketë respektin tim, pasi aty kam debutuar në Superligë. Gjithsesi tani jam lojtar i Ulpianës dhe udhëtojmë në Skenderaj për ta bërë lojën tonë dhe normalisht për të marrë pikë”, tha Rapuca.

Rapuca e ka nisur karrierën tek shkolla e futbollit Kurda, derisa më vonë ka kaluar tek juniorët e Ramiz Sadikut dhe në ekipin e parë, para se të luaj te Drenica e tani te Ulpiana.

Kujtojmë që Rapuca ka lidhje familjare me mbrojtësin e Kombëtares së Shqipërisë, Ermir Lenjani. Dyshja janë djem të tezës dhe sigurisht që Prishtinasi synon që një ditë t’i arrijë sukseset e Lenjanit.
 /Gazeta Olle/

 

Flet Besnik Krasniqi – ai që ia di rëndësinë Prishtinës dhe po e mban në hap për titull me të tjerët

Celina shënoi dy gola në fitoren e Ipswich ndaj Wycombe