Një lajm i mirë dhe një i keq për Kombëtaren shqiptare

Mungesa e Jahmir Hykës dhe rikthimi në stërvitje i Amir Abrashit – janë dy lajmet kryesore që vijnë nga qendra stërvitore e Kombëtares shqiptare.

Në kompleksin “Tropikal”, kuqezinjtë zbritën në fushë gjatë orëve të pasdites për seancën e dytë stërvitore të ditës së martë dhe është pikërisht mesfushori i San Jose, Jahmir Hyka, mungesa e vetme për shkak të bllokimit të fluturimit nga Roma në Tiranë, por Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë masat që ai të bashkohet me grupin.

Në këtë mënyrë, Hyka do të zbresë në kompleksin stërvitor vetëm gjatë seancave të të mërkurës dhe ky fakt mund ta kushtëzojë duke e vënë në dyshim paraqitjen e tij si titullar në “Renzo Barbera” kundër Italisë, njofton SuperSport.

Një lajm i mirë për trajnerin kuqezi është rikthimi në grup i mesfushorit Abrashi, i cili e siguroi Gianni De Biasin se është gati të vazhdojë seancat stërvitore pas pushimit të paradites që shërbeu si masë paraprake për një dëmtim të lehtë të tij.

Gjithashtu me skuadrën u bashkuan edhe Odise Roshi e Bekim Balaj pas udhëtimit të gjatë nga Grozni me destinacion Tiranën. Pjesa tjetër e skuadrës zbriti rregullisht në fushën stërvitore, ku mediat ishin të pranishme vetëm gjatë minutave të para dhe më pas trajneri mbylli dyert për të përgatitur ndoshta sfidën me delikate të eliminatoreve të Botërorit 2018 që do të luhet të premten në mbrëmje në Palermo.