Një lajm i keq dhe një i mirë te Hajvalia

Hajvalia është një ndër skuadrat pretendente për ta fituar titullin e kampionit në këtë edicion. Skuadra nga paralagjia e Prishtinës, e drejtuar nga Ismet Munishi, në këtë edicion është përballur me disa probleme, kryesisht lëndime të futbollistëve.

Mesfushori Fuat Karabegu vazhdon të jetë i lënduar dhe do t’i mungojë ekipit edhe dy javë. “Pasi që e kam bërë rezonancës, është konstatuar se e kam të lënduar miniskusin. Pres që të kthehem pas dy javësh. Tashmë jam duke bërë ushtrime të fitnesit”, ka thënë Fuat Karabeg për Gazetaolle.com.

Ai foli edhe për punën që po bëhet në ekipin e tij. “Hajvalia ende nuk e ka treguar forcën e saj reale. Kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe me punën që po e bënë Ismet Munishi me kolegët e tij, si dhe kryesinë, besoj se do të dalim kampion”, shtoi Karabegu.

Ndryshe, lajmi i mirë për Hajvalinë është rikthimi në ekip po nga lëndimi i mbrojtësit Liridon Leci. Ai pritet që t’i ndihmojë ekipit në ndeshjen e ardhshme që hajvaliasit e zhvillojnë në stadiumin ‘Demush Mavraj’ në Istog’.

Hajvalia ndodhet e treta me 32 pikë, pesë më pak se lideri Feronikeli.