Futbollisti, Liridon Kukaj vendosi që në vitin 2021 t’a përfundojë karrierën e tij si futbollist aktiv, duke i varë këpucët në gozhdë.
Kukaj përfundoi karrierën tek skuadra kosovare, FC Kek-u, por gjatë karrierës ai ka luajtur edhe për Prishtinën, skuadrën Milano nga Kumanova, teksa ishte pjesë e Vllaznisë së Shkodrës dhe Gramozit në Shqipëri.
38 vjeçari thotë se vendimi për të lënë karrierën ka qenë tejet i vështirë – teksa shton se gjithmonë ka dhënë maksimumin në të gjitha skuadrat që ka luajtur.
“Vendimi për t’i dhënë fund karrierës si futbollist aktiv ishte mjaft i vështirë, kam kaluar pjesën më të mirë të jetës sime në këtë sport dhe mu duk që po shkeputem nga një pjesë e vetës time. Si futbollist jam munduar të japë më të mirën nga vetja në secilin ekip ku kam luajtur, mendoj se për atë arsye më kanë vlerësuar tifozët dhe klubet e futbollit”, tha fillimisht Kukaj për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai shjegon se vendimin për të lënë futbollin aktiv erdhi si pasojë e moshës edhe pse ai thellë brenda vetës e di që do të mund të luante akoma. Megjithatë, Kukajn nuk do ta shohim largë futbollit, pasi po punon që në të ardhmen të bëhet trajner.
“Mosha më detyroi që t’i japë fund karrierës shumë vjeçare edhe pse me shëndet jam ndjerë mjaft mirë deri ditën e pensionimit. Mendova se kjo ishte koha e duhur që të përshëndetem nga të luajturit futboll. Sigurisht qe nuk do të largohem totalisht, për momentin jam i pajisur me licensën B të trajnerit, do të vazhdojë me kurse të tjera në menyrë që të jem më i përgatitur për të ardhmen. Gjithashtu do t’i shfrytezojë njohjet e mia jashtë vendit për t’i ndihmuar lojtarët e rinjë t’i arrijnë majat e futbollit. Kam pasur një karrierë me ulje dhe ngritje si çdo futbollist tjetër, në përgjithësi jam i kënaqur me arritjet e mia edhe pse besoj me pak fat kam mundur të bëjë dhe më tepër”, vazhdoi Kukaj.
Natyrisht se në karrierën e tij shumëvjeçare, Liridon Kukaj ka pasur momente të mira dhe të këqija, andaj ai ka vendosur që këto periudha t’i ndajë me gazetën tonë.
“Momente të mira në futboll kam pasur shumë, duke ja filluar me ekipin tim të fëmijërisë KF Kosova nga Prishtina me të cilin arrita ta fitojë Kupën e Kosovës dhe ishte trofeu im i parë si profesionist. Pastaj ishte kalimi im në ekipin më të mirë të vendit tonë FC Prishtina me të cilin arrita t’i fitojë të gjitha trofet e mundshëm në futbollin tonë. Më vonë erdhi kalimi im në futbollin maqedonas – ku me ekipin e Milanos nga Kumanova arritëm të paraqitemi për dy vite radhazi në Kupat e UEFA’s dhe nuk duhet harruar eksperiencen time në futbollin shqiptar ku kam kalur vite të paharruara. Moment mjaft i mirë ishte ndeshja kundër Real Madridit dhe përballja me futbollistët më të mirë botëror, kurse moment i keq në karrierë për mua ishte kur brenda një ndeshje kam humbur penallti dhe kam shkaktuar penallti dhe jam ndëshkuar me karton të kuq, krejt kjo ka ndodhë në ndeshjen FC Prishtina- Drenica”, thotë Liridon Kukaj.
Gjatë karrierës së tij, Liridon Kukaj kishte punë me trajnerët më të mirë të rajonit, ku edhe tregon se çfarë mësoi nga ta.
“Nga të gjithë trajnerët kam mësuar diçka, nga njëri kam mësuar si të sillem në fushë, si të përballem me kundërshtarë të ndryshëm, kam pasur trajner shumë motivues dhe të cilët kanë ditur si ta nxjerrin maksimumin nga ne. Si fëmijë disiplinën në lojë e kam fituar nga trajneri Haki Bllacaku, shprehinë e punës nga Afrim Krasniqi, duke vazhduar më pas me trajnerë te tjerë në ekipin e seniorëve ku në fillim të karrierën pata fatin t’i kem si trajner Hysni Maxhunin si dhe te ndjerin Mehmet Fetahun, të cilin e pata si prind të dytë dhe nuk do ta harrojë sa të kam jetë. U jam mirënjohës të gjithë trajnerëve me të cilët kam punuar dhe ata janë të shumtë”, vazhdoi 38 vjeçari.
Në fund, Liridon Kukaj ka dhënë një mesazh për të gjithë të rinjtë që duan të mirren me sportin e futbollin, ku i këshilloi ata që të punojnë sa më shumë që të jetë e mundur.
“Të rinjtë të cilët duan të arrijnë në futboll i këshillojë të mos ndalen së punuari shumë dhe me përkushtim, sepse futbolli është sporti më i bukur që njeh bota. Futbolli tek ne po ecën hapava të ngadalshëm, por të sigurtë, po investohet mjaft shumë dhe ka prurje të futbollistëve cilësor. Më pengon fakti që klubet nuk po kanë durim me trajnerët e tyre dhe deshirojnë brenda vitit t’i fitojnë të gjitha trofetë, por ajo është shumë shumë e vështirë të arrihet”, përfundoi Kukaj.