Një ekip i madh anglez pas Mustafit

Trajneri i gjelave të Londrës, argjentinasi Mauricio Pochetino shikon te Mustafi futbollistin ideal për të përforcuar prapavijën e skuadrës.

Paraqitjet e tij fantastike me fanellën e Valencias kanë bërë që për shërbimet e Shkodran Mustafit të interesohen disa nga skuadrat më të mira të kontinetit të vjetër. Pas Borussias së Dortmundit për mbrojtësin shqiptar është duke lëvizur Tottenham Hotspur. Sipas asaj që bën të ditur e përditshmja britanike Daily Star, trajneri i gjelave të Londrës argjentinasi Mauricio Pochetino shikon te Mustafi futbollistin ideal për të përforcuar prapavijën e skuadrës së tij sezonin e ardhshëm dhe u ka kërkuar drejtuesve të Spurs të shpejtojnë për të bindur Valencian që të lejojë largimin e  22-vjecarit nga Gostivari.

Daily Star raporton se vlera e Mustafit në merkato kap shifrën e 9 milionë Paund rreth 11 milionë Euro por vështirë se Valencia një lojtar për të cilin i pagoi Sampdorias në verën e vitit 2014 8,5 milionë Euro do ta sheshë për një shumë të tillë. Me mbrritjen e tij te Los Che, Mustafi është shndërruar në një futbollist thelbësor në formacionin e Valencias dhe sëbashku me argjentinasin Nicolas Otamendi ka formuar një dyshe të frikshme në qëndër të mbrojtjes. Në 26 ndeshje me skuadrën nga Mestalla këtë sezon ai ka realizuar edhe 4 gola prandaj drejtuesit e Valencias kurrësesi nuk kërkojnë të privohen nga talenti shqiptar. Vetëm nëse oferta e Tottenhamit do të kalonte shifrën e 20 milionë Eurove atëherë klubi spanjoll mund ta merrte në konsideratë një shitje të mundshme të Mustafit. Por nga Valencia Tottenhami nuk dëshiron vetëm mbrojtësin e përfaqësueses gjermane pasi Pochetino pëlqen edhe futbollistin algjerian Sofiane Feghouli.