Eridon Maloku është shpresa e madhe e futbollit gjilanas dhe atij kosovar.
Sulmuesi i talentuar i Dritës është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer këtë edicion te juniorët, ku shënon e asiston pafundësisht.
Në 15 ndeshje me juniorët e Dritës, Maloku ka realizuar 16 gola dhe ka asistuar në 12 të tjerë.
FC Drita U19 në 18 ndeshje të zhvilluara në total ka shënuar 47 gola, derisa Maloku ka kontribuar në 28 prej tyre.
Përveç me ekipin e juniorëve, Maloku ka debutuar edhe me ekipin e parë në Superligë, derisa ka luajtur në të gjitha ndeshjet e fazës përgatitore në Turqi.
“Jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë dhe jam i lumtur që kam debutuar edhe me ekipin e parë këtë edicion”, tha Maloku për Gazetën Olle.
“Qëllimi është që të arrijmë titullin kampion si me juniorët ashtu edhe me ekipin e parë të Dritës”, deklaroi Maloku.
Ai stërvitet rregullisht me skuadrën e parë të Dritës dhe thotë se shpreson të ketë më shumë hapësira.
“E kuptoj që Drita është duke luftuar për titull dhe ka konkurrencë të madhe, por si i ri shpresoj që të kem më shumë minuta. Unë gjithmonë jam gati për të dhënë maksimumin për klubin tim”, tha Maloku.
19-vjeçari është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U19, dhe një titullar i padiskutueshëm tek dardanët e rinj.
Maloku të ardhmen e tij e sheh në Evropë, por ai shpreson që fillimisht të lë gjurmë në futbollin kosovar me Dritën para se të bëj ëndrrën realitet duke luajtur në ndonjë kampionat të fortë evropian. /Gazeta Olle/