Nis misioni i titullit

Sigal Prishtina dhe Bashkimi do t’i matin forcat në fazën e nxehtë të kampionatit, “Play-Off”.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në kryeqytet sot, me fillim nga ora 19:00. Kryeqytetasit, pasi arritën ta fitojnë titullin e kampionit në Ligën Ballkanike për të dytën herë radhazi, do të kërkojnë të stolisen edhe me trofeun e tretë këtë edicion – titullin e kampionit të Kosovës.

Nga ana tjetër, Bashkimi ka kaluar një edicion të shkëlqyer duke qenë “arrë e fortë” për ekipet kundërshtare.

Bardhekaltrit kanë bilanc më të mirë se ekipi Portokalli në ndeshjet e zhvilluara këtë edicion duke e mposhtur tri herë, përderisa prizrenasit e kanë arritur vetëm një fitore në duel me prishtinasit.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, përderisa dy ndeshjet tjera do të zhvillohen në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Skuadra që arrin e para tri fitore do të arrijë të kalojë në finale të “Play-Off”-it. Prishtina është aktualisht kampione e Kosovës dhe do të kërkojë ta mbrojë këtë trofe edhe këtë edicion.