‘Ngjyroset’ Superliga, Besa sjell bashkëvendas të Didier Drogbas

Dikur skuadër lokaliste, tani po merr lojtarë edhe jashtë kontinentit. Është Besa e Pejës, që pritet të ngjyroset në stinorin pranveror të Raiffeisen Superligës.

Zyrtarët e klubit kanë paraqitur për regjistrim në Federatën e Futbollit të Kosovës, pesë afrikanë. Ata vijnë nga Bregu i Fildishtë, vend ky nga i cili kanë dalë yjet si Didier Drogba, vëllezërit Toure, Gervinho etj.

Zogho Steve Dosfellos, Omattore Ibrahima, Nkafi Gosam Roland Adjoumani, Traore Tremoso Noieme, janë lojtarët e paraqitur për regjistrim, bashkë me Fetim Kasapin, Qëndrim Dautajn dhe Mark Milicajn.

Të katër afrikanët vijnë në klubi ECAF.

Trajneri i Besës, Arbnor Morina flet për të huajt. “Ata janë afrikanë nga Bregu i Fildishtë. Menaxherët na kanë propozuar, kurse ne kemi dashur t’i regjistrojmë. Ata pritet të vijnë së shpejti. Janë mbrojtës, mesfushor dhe njëri sulmues”, deklaroi Morina për gazetaolle.com.

Besa është klubi i tretë që do të ketë lojtarë me ngjyrë, pas Trepçës e Trepçës ’89. Pejanët ndodhen në Mal të Zi për përgatitje shtesë.

Afati kalimtar mbyllet sonte në ora 24:00. (Gazeta Olle)