Ngacmimet dhe abuzimet seksuale, Premier League nis trajnimet e lojtarëve

Disa lojtarë të Premier League u bënë qendra e vëmendjes sezonin e shkuar për shkak të skandaleve që lidheshin me ngacmime dhe abuzime seksuale.

Për këtë arsye elita e futbollit anglez ka nisur punën për trajnimin e detyrueshëm të lojtarëve dhe stafit në mënyrë që të kuptojnë se deri ku është limiti.

Seancat e trajnimit do të kenë në qendër të “mësimeve” marrëdhëniet e shëndetshme dhe të respektueshme dhe do të përfshijnë se deri ku lejohet ngacmimi.

“Njoftimi i sotëm është një hap i parë, ndonëse i vonuar, por shumë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Të japim fund dhunës ndaj grave! Dhuna me bazë gjinore është një çështje e përhapur dhe sistematike që duhet adresuar në të gjithë industrinë e futbollit në tërësi, me veprime urgjente dhe të koordinuara”,- tha Andrea Simon, drejtoreshë e koalicionit “Fund Dhunës ndaj Grave”.

Në muajin shkurt, ky koalicion i dërgoi një letër të hapur Federatës Angleze të Futbollit dhe Premier League, duke u kërkuar atyre një zgjidhje në lidhje me ngjarjet e ndodhura.

Në përgjigje, Federata Angleze e Futbollit tha: “Ne dënojmë fuqishëm dhunën dhe paragjykimet e çdo lloji dhe inkurajojmë këdo që ka qenë subjekt ose dëshmitar i kësaj lloj sjelljeje që ta raportojë atë në polici dhe autoritetet përkatëse në mënyrë që të mund të hetohet.”

Përveç trajnimit të detyrueshëm, koalicioni kërkoi gjithashtu që klubet “të miratojnë politika dhe protokolle të qarta të sjelljes së keqe seksuale” dhe të nënshkruajnë një kartë “për të trajtuar sjelljet e papranueshme”./ss/

Vjen zyrtarizimi nga Antwerpi, Arbnor Muja bën hapin e madh dhe transferohet te gjiganti belg

Kosova U19 gati për ndeshjen e dytë në turneun memorial në Maqedoni të Veriut