Kupa e Botës është evenimenti më i madh futbollistik dhe që pritet me interes të jashtëzakonshëm në mbarë globin. Risia e Botërorit të Katarit është padyshim fakti që do të zhvillohet në dimër këtë vit, duke filluar nga data 21 Nëntor deri në 18 Dhjetor, me finalen e madhe që do të luhet në ‘Lusail Stadium’.
Për të hedhur më shumë dritë mbi mbarëvajtjen e kompeticionit do të shërbejë shorti i fazës së grupeve që do t’i përmbahet formatit të zakonshëm, me tetë grupe që formohen respektivisht nga katër skuadra. Ndërkohë, ndarja e katër vazove është bërë sipas nivelit të kombëtareve, ku sipas të gjitha gjasave pritet të kemi disa përplasje të nxehta.
Vazoja e parë përbëhet fillimisht nga vendi organzator, Katari, që gjithashtu fitoi të drejtën e kualifikimit automatik në turne. Kombëtarja nga Lindja e Mesme pasohet nga: Brazili, Belgjika, Franca, Argjentina, Anglia, Spanja dhe Portugalia.
Për të vijuar me pas me vazon e dytë, që përbehet nga të tjera përfaqësuese kompetitive si Holanda, Danimarka, Gjermania, Zvicra, Uruguai, Kroacia, SHBA dhe Meksika. Një vazo që ka në përbërja 6 Kupa Bote, por në të njëjtën kohë na sinjalizon se mund të kemi përsëritjen e një tjetër grupi ‘ferri’.
Në vazon e tretë kemi një ndërthurje të përfaqësueseve nga çdo skaj i globit: dy kombëtare evropiane si Polonia dhe Serbia, tre aziatike si Irani, Japonia dhe Koreja e Jugut, ndërkohë që lista kompletohet me Tunizinë, Marokun dhe Senegalin, që mbajnë lart flamurin e kontinentit të Afrikës.
Gjithçka përmbyllet me vazon e katërt, grupin e skuadrave me renditjen më të ulët në FIFA. Ekuadori, Arabia Saudite, Gana, Kameruni dhe Kanadaja, përfaqësuese e cila siguroi pjesëmarrjen e parë që pas vitit të largët 1986, prenë biletën zyrtarisht për në finalet e Botërorit, por ka dhe nga skuadra që ende duhet të presin për të mësuar fatin e tyre.
Uellsi do të presë fituesin e çiftit Ukrainë-Skoci në muajin Qershor dhe më pas sfida mes tyre do përcaktojë ekipin e 13-të evropian që udhëton drejt Katarit. Duel i zjarrtë pritet gjithashtu edhe mes Zelandës së Re dhe Kosta Rikës.
Kombëtarja oqeanike kërkon pjesëmarrjen e parë në Botëror që pas 2010, ndërkohë që amerikano-qendrorët do synojnë vazhdimësinë duke e çuar në tre numrin e pjesëmarrjeve radhazi në një Kupë Bote. Kombëtarja e 32-të që do të marrë pjesë do të përcaktohet në çiftin mes Perusë dhe njërës ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Australisë.
Shorti do të hidhet të premten e 1 prillit, duke filluar nga ora 16:45.