Nga Turqia: Ibrahimoviç drejt Galatasarayt

“Bomba” e radhës në merkato vjen nga Turqia. Aventura e Zlatan Ibrahimoviç në Francë mund të jetë drejt fundit. Sipas mediave turke, suedezi ka përfunduar në shënjestrën e presidentit të Galatasarayit. Unal Aysal ka zgjedhur pikërisht Zllatan Ibrahimoviç si kartën fituese për të triumfuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të klubit. Në këtë mënyrë pasi ka bërë pjesë të skuadrës Didier Drogba dhe Wesley Sneijder, Gallatasarayi synon një tjetër futbollist të klasit botëror. Por lajmet e bujshme nuk përfundojnë këtu, pasi siç bëjnë të ditur në Turqi, Aysal ka kontaktuar edhe me trajnerin e Borussias së Dortmundit, Jurgen Klopp në përpjekje për ta bindur që të marrë drejtimin e Gallatasarayit.

Në fakt nuk është se jepen shumë detaje mbi tratativat, por mediat turke zbulojnë se këto janë lëvizjet e Ausal. Objektivi numër një i bosit të Galatasarayit është i qartë, Ibrahimoviç. Suedezi është zgjedhur si njeriu i duhur për vazhdimin e projektit të Aysal në drejtimin e klubit turk.

Sigurisht që misioni i tij për të rrëmbyer Ibrën nga Parisi nuk do të jetë i lehtë. Edhe pse në muajit e fundit raporti i bomberit me opinionin publik francez pas deklaratave të tij në lidhje me Francën ka pësuar një krisje. Ibrahimoviç mbetet lideri i skuadrës së sheikut Nasser Al-Khelaifi dhe transferimi i tij kërkon sforco të mëdha ekonomike.

Sipas mediave turke, njerëzit e Aysal kanë kontaktuar tashmë me menaxherin Mino Raiola për të bërë një sondazh mbi mundësitë e realizimit të planit të tyre dhe Zllatani që mund të konsiderohet si një shtegtar i futbollit për shkak të transferimeve të tij të shumta, mund të ndryshojë sërish fanellë.