Nga sëmundja e rënde te humbja e Evropianit te finalja e Kampionatit Botëror, flet gjyqtari që do ta ndajë drejtësinë në Argjentinë – Francë

Finalja e Katar 2022, Argjentinë-Francë ka vëmendjen e të gjithë botës teksa për lojtarët në fushë është një arritje e jashtëzakonshme në karrierën e tyre teksa do të kërkojnë ta vulosin me një sukses që do të ishte i paharrueshëm.

Por, veç lojtarëve në fushë është edhe arbitri si dhe e gjithë trupa e tij, teksa edhe për ta është një arritje madhore.

Finalja Argjentinë-Francë i është besuar polakut 44-vjeçar, Szymon Marciniak, i cili në një rrëfim të fundit tregon hapat e tij të parë në karrierë, ndërsa zbulon edhe problemet me zemrën.

“Unë në fillim isha futbollist dhe trajneri gjithnjë më ka thënë se luaja mirë. Por, një herë u ndëshkova me karton të kuq edhe pse isha unë ai që pësoi një faull nga pas. U ankova te arbitri, nisa të debatoja me të sepse pretendoja që kundërshtari të ndëshkohej me të kuq. Ai më ndëshkoi mua me të verdhë prej protestave, nuk i mbajta nervat dhe e ofendova gjyqtarin. Mora kartonin e dytë të verdhë dhe dola nga fusha. Megjithatë, diskutova me gjyqtarin pas ndeshjes dhe ai më tha se nëse e mendoja se arbitrimi ishte një punë e lehtë, atëherë të shkoja dhe ta provoja. Mendova pse jo, dhe shkova në një kurs arbitrimi, aty ku më pas nisi gjithçka.

Problemet? Para një viti e gjysmë, pata probleme me takikardinë. Në fillim ishte shumë e vështirë për mua dhe mu desh të ndaloja. Humba Europianin, nuk e keni idenë sa e vështirë është të humbasësh një kompeticion të tillë. Por, ndonjëherë mendoj se jeta të merr diçka, për të të dhuruar diçka edhe më të bukur. Vetëm unë dhe skuadra ime e di sa i dëshpëruar isha, ishte tejet e vështirë. por, tashmë periudha e errët ka kaluar dhe jam sërish i lumtur, nuk ndaloj dot së qeshuri pasi është një ndjesi e mrekullueshme.

Finalja? Lojtarët janë të freskët dhe kërkojnë të fitojnë me çdo kusht. Pres një lojë të shpejtë, bëhet fjalë për finalen e Botërorit. Në fillim skuadrat do të luajnë me kujdes pasi askush nuk kërkon të pësojë në minutat e para. Në lojë janë emra të mëdhenj, yje dhe gjithçka mund të ndodhë. Përqëndrimi është tejet i rëndësishëm dhe nuk mund të relaksohesh qoftë edhe për një sekond. Është detyra ime të mirëmbaj ndeshjen”, u shpreh Marciniak.

Pogba udhëton drejt Katarit: Finalet nuk luhen, ato fitohen

Ardon Jashari drejt hapit të madh në karrierë, e kërkojnë gjashtë skuadra – Arsenal e Napoli në mesin e tyre