Nga rezultatet e rrethit të parë te ndeshja e radhës, përkrahja e Plisave dhe objektivi i sezonit – Mërgim Pefqeli flet për të gjitha

photo by: @Shpend Ahmeti

Mesfushori dhe kapiteni i Prishtinës, Mërgim Pefqeli padyshim se është njëri nga lojtarët më të mirë dhe më vendimtar të kryeqytetasve në ndeshjet e rrethit të parë në Albi Mall Superligën e Kosovës. 29-vjeçari i gjithanshëm ka folur në një intervistë për Telegrafin në lidhje me nëntë ndeshjet e rrethit të parë, formën e ekipit, ndeshjen e ardhshme në kampionat, por edhe për synimet e këtij sezoni për klubin më të trofeshëm kosovar.

Prishtina e ka nisur mirë sezonin duke marrë dy fitore dhe një barazim befasues në tri ndeshjet e para të sezonit 2023/24 në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Megjithatë, forma e kryeqytetasve pati rënie në ndeshjet e ardhshme duke shkuar në një rekord prej dy fitoresh, gjashtë barazimesh dhe një humbje nga nëntë ndeshjet e rrethi të parë, të cilat e renditin në pozitën e pestë me 12 pikë dhe një gol dallim +1 (12-11).

E gjithë kjo erdhi edhe shkaku i ndryshimeve të shumta në ekip gjatë verës duke bërë që komponimi i skuadrës të mos jetë adekuat dhe mungesa e disa lojtarëve të lënduar dhe zgjedhjeve të pakta në bankën rezervë.

Prishtina renditet e gjashta pas rrethi të parë (Foto: Shpend Ahmeti)

Në një intervistë për Telegrafin, kapiteni i Prishtinës, Pefqeli ka folur në lidhje me formën e skuadrës, rezultatet, ndeshjen e ardhshme, përkrahjen e tifozëve Plisat dhe objektivin e këtij sezoni.

“Për rrethin e parë mund të them se jemi të kënaqur mesatarisht pasi kemi lëshuar shumë ndeshje nga duart edhe pse kemi qenë në avantazh, na është barazuar rezultatit dhe kjo dhemb shume. Megjithatë, ne duhet t’i mbledhim forcat dhe të paraqitemi edhe më fortë dhe më mirë në rrethin e dytë si dhe pjesën tjetër të kampionatit, deri në fund”, ka thënë fillimisht Pefqeli për Telegrafin.

Futbollistët e Prishtinës duke festuar një nga golat (Foto: Shpend Ahmeti)

“Ndeshja e radhës me Feronikelin është ndeshja e 10-të e kampionatit dhe tanimë secila skuadër vetëm se është drejt komponimit të plotë. Ashtu sikurse ne, edhe Feronikeli, kemi pas lëvizje të shumta gjate afatit kalimtar dhe tani priten frytet e punës dhe komponimit”.

“Feronikeli është kundërshtar i respektuar shumë, mirëpo për neve çdo pikë dhe ndeshje e ka rëndësinë e vet, andaj do të shkojmë të japim maksimumin dhe të marrim rezultatin e shume dëshiruar nga ne”.

Pefqeli në aksion (Foto: Shpend Ahmeti)

Lideri i Prishtinës dhe njëherësh djali i lindur dhe rritur në kryeqytet ndihet i lumtur me rikthimin masiv në “Plisave” në stadium, pasi përkrahje e tyre është motiv shtesë dhe i ndihmon drejt rezultateve.

“Përkrahja e Plisave është e domosdoshme për neve si futbollistë profesionist. Prishtina pa Plisat, sigurisht edhe lojtarët pa Plisat jemi të mangët dhe pa krahun më të fort”.

“Fatmirësisht gjithçka është sqaruar dhe tani vetëm do të punojmë dhe luajmë fortë që të ua kthejmë dinjitetin dhe krenarinë që ata gjithmonë e dëshirojnë nga futbollistët e Prishtinës, duke ju sjell trofe të shumtë në kryeqytet”.

Plisat janë rikthyer masivisht në përkrahje të Prishtinës

“Objektivi i sezonit? Sigurisht që Prishtina gjithmonë ka synim trofetë dhe këtë sezon objektivi minimal është një pozitë që dërgon në garat evropiane”, përfundoi kapiteni i Prishtinës.

Ndryshe, Prishtina gjatë të mërkurës fitoi Superkupën Kosovë/Diasporë, pasi ka shënuar fitore kundër FC Kastrioti Stukenbrock, me rezultat 4-0, në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali.

Ndeshja e radhës e klubit më të trofeshëm kosovar është të shtunën në udhëtim te Feronikeli ’74 në kuadër të javës së 10-të në Albi Mall Superligën dhe fillon nga ora 13:00. 

Reagimi i Neymar pas lëndimit të tmerrshëm

Delegohen gjyqtarët për xhiron e 10-të, Alban Shala në derbi