Nga puna si elektricist e deri te medalja e bronztë në karate, ja rrëfimi i Elhami Shabanit

Medalja e bronztë evropiane e fituar në Kampionatin Evropian të Karatesë që u mbajt së fundi në Turqi, ishte arritja më e madhe e Elhami Shabanit në këtë sport.

Ai e bëri krenar Kosovën duke u futur kështu në listën e emrave të shumë sportistëve të tjerë që i sollën vendit tonë tituj dhe medalje të nivelit evropian dhe botëror.

Në një intervistë për KosovaPress, Shabani rrëfen se me sportin e karatesë filloi të merrej që nga mosha pesë vjeçare dhe se ky sport është trashëgimi e familjes së tij.

“Unë si pesë vjeçar kam filluar të merrem me sportin e karatesë, por para se të shkoj në klub të karatesë, mund të them lirisht që disa elemente fillestare i kam pasur të njohura, pasi që edhe babai im ka qenë karateist dhe si fëmijë jam marrë me prindin dhe kur kam shkuar te klubi i karatesë, disa gjëra elementare i kam ditur. Do të thotë e kemi si trashëgimi sepse është marrë prindi së pari me karate. Kam vazhduar si pesë vjeçar, kam qenë shumë i përkushtuar që nga fëmijëria për ushtrime”, tha Shabani.

Shabani tregon se si marrja me sportin e karatesë nuk i ofronte kushtet e nevojshme për një jetë normale, andaj ishte i detyruar që të punonte edhe në lëmi të tjera.

“Po flas për sportin e karatesë, nuk mund të merresh profesionalisht sepse të merrësh profesionalisht, dihet që duhet paga, ushqimi e shumë gjëra dhe kam qenë i detyruar të punojë diçka tjetër. Në të njëjtën kohë kam punuar, kam ushtuar dhe kam kryer shkollën….Në të njëjtën kohë kam punuar edhe si autoelektricist ose me elektrikë të veturave. Kur i shoh disa të ri tani që i kanë të gjithë infrastrukturën, të gjitha kushtet dhe thonë nuk ia vlen të ushtroj ose habitem sepse unë kam punuar 12 orë në ditë dhe kam gjetur prapë kohë të ushtrojë dhe të kryej shkollën”, theksoi Shabani.

Ky përkushtim i madh me kalimin e kohës solli frytet e para. Shabani numëron me krenari titujt që i ka fituar deri më tani.

“Si senior i kam 11 vite në karate si senior. Dhjetë vite jam kampion i Kosovës, vetëm një herë jam nënkampion dhe atë ma kanë marrë finalen. Do të thotë unë kam qenë nonstop, edhe si kadet, junior, si grupmosha të reja, kam qenë shtatë herë kampion i Kosovës, do të thotë gjithë karrierën time 17 vite, jam kampion i Kosovës. Për të arritur deri këtu dhe për t’u dhënë shansa ta përfaqësoj Kosovën, patjetër që duhet të jesh nonstop kampion i Kosovës dhe më i miri në kategorinë tënde sepse përndryshe shkon tjetri…Për momentin jam kampion i Kosovës, kampion mbarëkombëtar, nënkampion ballkanik dhe tani i treti i Evropës”, shtoi më tutje Shabani.

Ai thotë se tani që është i treti në Evropë ndihet shumë krenar, por shton se askush nuk e di se sa shumë ka vuajtur për ta arritur këtë qëllim.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë, është shumë e mundimshme, kërkon shumë punë, shumë vullnet për këtë arsye pastaj disa, populli kur e sheh suksesin thotë ‘bravo’, por vërtetë është shumë mundim. Vetëm ata që merren me sport dhe ata që e kuptojnë sportin e dinë se sa vështirë është të arrish deri te një sukses, por nëse nuk dorëzohesh dhe nëse je gjithmonë gati, e ceka dhe më herët që t’i gjithmonë duhet të jesh gati që kur të vije momenti yt të të gjejë të gatshëm. Nëse nuk je i gatshëm, vjen momenti por prapë nuk mund ta kapësh. Kam vuajtur shumë, kam punuar shumë për këtë ditë dhe kur erdhi dita ime e shfrytëzova më së miri dhe tani vërtetë jam krenar me veten sepse jam i treti në Evropë”, tha në fund Shabani.

Shabani tashmë ka hapur klubin e tij të karatesë në të cilin po stërvitë karatesitë të rinj dhe se synon që të prodhojë kuadro të reja që do t’i sjellin Kosovës shumë suksese në arenën ndërkombëtare.

Pas Ballkanit, komuna e Suharekës do të shpërblejë edhe Yllin

Kosova mposhtet nga Malta