Nga ftesa e Rejas te idhulli i tij, Nedim Bajrami flet për të gjitha

Nedim Bajrami është kthyer në një faktor kyç të Empolit si dhe një nga lojtarët më të ndjekur për merkaton e verës në Serie A. Mesfushori me tipare sulmuese nga Shqipëria ka dhënë një intervistë për kanalin zyrtar të Serie A, ku ka prekur shumë çështje si ftesa e kombëtares, sezoni me Empolin, apo idhulli i tij.

“Unë kam lindur në Zyrih, në Zvicër dhe familja ime është me origjinë nga Maqedonia e Veriut, pjesa shqiptare e saj. Gjatë gjithë periudhës së akademisë dhe ekipeve të moshave, unë kam qenë pjesë e Zvicrës deri në ekipin Under-21. Më pas, Edy Reja, trajneri i Kombëtares shqiptare më bëri një ftesë. Bisedova me të 3-4 herë. Më pas bisedova edhe me familjen time dhe në fund zgjodha që të luaj për Shqiëprinë, për vendin tim”.

Playmakeri multikulturor Nedim Bajrami mishëron shpirtin e Empolit, bindjen se gjithçka është e mundur.

Ai është një numër 10 modern, ka vizion, guxim dhe dhunti krijuese. Në sezonin e parë të 23-vjeçarit në Serinë A, ai tashmë ka 6 gola dhe 5 asiste.

“Jam krenar që e mbaj këtë numër në fanellë, pasi është i tillë që e kanë lojtarët e mëdhenj. Në rolin që luaj unë, duhet edhe të shënosh edhe të japësh asiste. Më pëlqejnë të dyja. Nëse unë shoh një lojtar që është në pozicion më të mirë sesa unë, i pasoj menjëherë dhe jam njësoj i lumtur nëse dikush tjetër do të shënojë. Sepse kjo gjë e ndihmon skuadrën. Për mua, në fund të ndeshjes, nuk është e rëndësishme se kush e ka shënuar golin”.

Idhulli i mesfushorit të Empolit nuk është një zviceran, as një shqiptar apo një italian, por një francez.

“Zidane ka qenë gjithmonë idhulli im sepse më ka pëlqyer mënyra se si ai luante, eleganca e tij. Ai ka luajtur në Itali me Juventusin, dhe mendoj se kam pak nga stili i tij. Kur ai kishte topin në këmbë, gjithmonë kërkonte që të shkonte përpara drejt sulmit. Ai në çdo moment kërkonte që të ndihmonte skuadrën, duke shënuar apo duke dhënë asiste. Njësoj siç bëj unë në rolin tim”.

Bajrami po zhvillohet shumë nën udhëheqjen e trajnerit Aurelio Andreazzoli. Duke mësuar nevojën për të përmirësuar lojën e tij vetjake, por edhe atë të skuadrës në tërësi, shkruan Oversport.

“Kjo është pjesë e lojës. Ndodh që të luash, apo edhe që të mos luash, por gjithmonë duhet të vazhdosh të punosh fort. Unë i di cilësitë që kam, kështu që nëse luaj, bëj më të mirën e mundshme. Nëse nuk luaj, bëj më të mirën për ekipin. Në fund, është trajneri ai që vendos se cili prej nesh do të luajë dhe cili jo.

Ama, nuk ka një yll në ekip. Kështu që ne kemi nevojë që të luftojmë ndeshje për ndeshje, të gjithë bashkë si ekip. Në fitojmë bashkë, ose humbasim të gjithë bashkë. Ne duhet të vazhdojmë kështu deri në fund dhe më pas do të shohim se çfarë kemi arritur këtë sezon”.

Pavarësisht faktit që nuk kanë fituar që nga dhjetori, toskanët janë 9 pikë larg zonës së rënies. Njëherazi, do të kërkojnë të bëjnë rolin e vrasësit të gjigandëve ndaj Juventusit në stadiumin “Castellani”. Bajrami sigurisht që nuk është i mbivlerësuar nga reputacioni i madh.

“Kam shënuar ndaj të gjithë skuadrave të mëdha dhe shpresoj që të realizoj gjithashtu edhe ndaj Juventusit. Ky është synimi im.

Ne të gjithë e dimë që Juventus është një skuadër e madhe në Itali, por në fushë nuk e mendojmë fare se kush është Juventus, pasi ne besojmë në lojën tonë dhe e dimë se çfarë force kemi. Ne mund të fitojmë ndaj cilitdo kundërshtari

Siç e treguam në Torino, duke i mundur 0-1, shpresoj që të luajmë siç duhet dhe të fitojmë sërish”.

Marmarinos: Duam të bëjmë më të mirën përballë Norvegjisë

Trepça ‘89 vazhdon me fitore, Flamurtari triumfon në derbin lokal