Nga 3-0 në 3-5, fitorja e jashtëzakonshme e Feronikelit ’74 në udhëtim te Liria, Rexhepi dhe Berisha flasin për rikthimin spektakolar në Prizren

Jo vetëm në Kosovë, por vështirë të mendohet ndonjë rikthim më spektakolar edhe në Evropë se ai që bëri Feronikeli ’74 në Prizren ndaj Lirisë.

Kur kishin kaluar 12 minuta lojë, Liria ishte në epërsi prej tre golave 3-0 dhe të gjithë menduan se kjo ndeshje përfundoi sa i përket fituesit.

Përkundër dominimit të vendasve në minutat e para, Feronikeli ’74 filloi të merrte vetën pasi kaluan gjysmë ore lojë, duke filluar edhe rikthimit e madh nga minuta e 35-të, kur realizoi për 3-1 Razcak.

Jakup Berisha me dy gola, Florent Avdyli me një tjetër dhe Robert Rrahmani me të fundit u përkujdesën për rikthimin spektakolar të Feronikelit ’74.

Trajneri i skuadrës nga Drenasi, Xhengis Rexhepi në një prononcim për Telegrafin flet për rikthimin e madh që bëri skuadra e tij në Prizren, duke thënë se vazhdimisht e motivonte skuadrën drejt rikthimit.

“Futbolli prandaj është interesant se nuk mund ta parashikojmë qa mund dot sjellë. 12 minuta je duke humbur 3-0 dhe të vetmen gjë që e kam bërë nuk jam ndalur duke i motivuar futbollistët që mos të dorëzohen, por edhe ata kanë treguar karakter”, tha Rexhepi për Telegrafin.

“Pas rezultatit 3-1 në pauzë fola me futbollistët, ju thash me vazhduar njëjtë mos me marrë shumë rrezik dhe vetëm edhe një gol nëse shënojmë për 10-15 min kemi me kthyer rezultatin, e dija se do kenë shumë presion edhe nuk do mund ta përballojnë gjithë at presion”.

“Ashtu edhe ndodhi pas rezultatit 3-3 ne realisht kishim qetësi dhe vetëbesim kurse kundërshtari panik.U vendosëm mirë në fazën e mbrojtjes edhe pritshim daljet e gabuara të kundërshtarit. Ma meritorët për fitoren janë futbollistët, unë vetëm ju kam ndihmuar në këtë sukses”, deklaroi Rexhepi.

Rexhepi thotë se kjo fitore spektakolar e motivon shumë Niklin ’74, derisa objektivat e klubit janë që të gjejnë stabilizim në kampionat.

“Normal që na motivon na jep vetëbesim, por ndeshja e Lirisë është e kaluar tash dhe duhet përgatitemi për ndeshjen e radhës”.

“Objektivat e Feronikelit ’74 janë stabilizimi në ligë duke treguar ndeshje të mira”, tha Rexhepi.

Krejt në fund trajneri tetovar foli edhe për duelin e radhës, ku në Drenas me skuadrën e tij presin Dritën.

“Do jetë ndeshje e rëndë për ne, por jo edhe e lehtë për Dritën. Favorit është Drita, por gjërat mund të ndryshohen në fushë bazë karakterit dhe luftës çka do tregojnë futbollistët e mi”, tha Rexhepi.

Kontribut të jashtëzakonshëm në rikthimin e madh të Feronikelit ’74 pati edhe futbollisti i ri Jakup Berisha i cili ishte i pandalshëm për mbrojtjen prizrenase.

23-vjeçari realizoi dy gola në këtë sfidë, teksa futbollistët e Lirisë nuk kishin zgjidhje se si ta ndalnin atë.

Shkupjani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ka qenë një fitore shumë emocionale pasi të pamundurën e bën të mundur.

“Për mua ishte ndeshje shumë emocionale dhe historike njëkohësisht sepse të pamundurën e bëmë të mundur. Në pushim pas pjesës së parë, trajneri Xhengis Rexhepi na motivoi jashtëzakonisht shumë dhe na tha që të shtypim kundërshtarin dhe e dinim që nëse shënojmë golin e dytë do vi edhe fitorja”, tha Berisha për Telegrafin.

[related-to url=”https://telegrafi.com/jakup-berisha-miri-xhiros-se-gjashte-ne-albi-mall-superlige/”]

Ish-anëtari i Shkëndijës së Tetotvës, Shkupit e Kukësit është shumë i kënaqur me formën e tij dhe dy golat e shënuar në Prizren.

“Jam shumë i kënaqur me formën time dhe do të jap gjithmonë maksimumin që të vazhdoj kështu, por me shumë rëndësi ka që i ndihmoj ekipit dhe po marrim fitore”, vazhdoi tutje Berisha.

Krejt në fund sulmuesi anësorë tha se si skuadër do të luftojnë shumë që në fund t’i bëjnë krenar të gjithë tifozët duke mbledhur sa më shumë pikë.

“Ne si skuadër do të angazhohemi, do të luftojmë shumë dhe do të japim maksimumin që të mbledhim sa më shumë pikë dhe t’i bëjmë gjithë qytetin e Drenasit, tifozët tanë dhe drejtuesit e klubit krenar”, u shpreh Jakup Berisha.

Albion Rrahmani i pandalshëm, realizon tjetër gol në Rumani (Video)

Albion Rrahmani shënon sërish ndaj Clujit, rikthen epërsinë e Rapidit (Video)