Neymar bëhet ‘problem’

Neymar e ka humbur durimin dhe nuk bën asgjë për ta fshehur. Gjestet në drejtim te Luis Enriques u rikthyen të shtunën në takimin me Sevillan, kur braziliani pa tabelën në minutën e 73, që sinjalizonte zëvendësimin e tij.

Deri në atë moment Neymar ishte një nga lojtarët më të mirë të Barçës në Pizjuan dhe askush nuk e kuptoi këtë ndryshim. Pas takimit edhe zëvendëspresidenti Jordi Mestre nuk hezitoi të shprehte publikisht habinë për zgjedhjen e Luis Enrique.

Drejt stolit Neymar u drejtua me gjeste që manifestuan hapur se po ndihej i bezdisur. Në të gjithë formacionin e blaugranave, Neymar është një prej futbollistëve që preket më shumë nga rotacionet. Konkretisht është i treti, i zëvendësuar në 14 raste dhe këtu parakalohet vetëm nga Rakitiç e Iniesta, përkatësisht me 17 dhe 15 zëvendësime. Barcelona pagoi një shifër shumë milionëshe për shërbimet e tij, ndaj me të drejtë Neymar nuk arrin ta kuptojë përse duhet të qëndrojë në stol dhe për më tepër kur është në formë e shënon.

Në gola Messi është pa diskutim superior, por edhe Neymar nuk mbetet prapa. Revoltën ndaj Enriques nisi ta bëjë publike në fillim të këtij viti, pas fitores 5-0 me Elche në Kupën e Mbretit, kur deklaroi se nuk i pëlqen të dalë nga fusha. Enrique preferoi heshtjen e ndërkohë ka vazhduar ta zëvendësojë siç ka bërë më pas edhe në ndeshje të rëndësishme si ajo me Atleticon në Kupë, me Manchester City në Champions apo në El Clasicon me Realin në Camp Nou.