Nexhipi tregon arsyen pse Ballkani mori për trajner Ilir Dajën

Nderim Nexhipi la Kukësin në verë dhe u emërua drejtor sportiv i Ballkanit në Kosovë, ku pas vetëm një sezoni, ka dhënë ndihmë të madhe për ta dërguar ekipin nga Suhareka drejt titullit të parë, i kërkuar pa fund në vitet e shkuara, kur kanë mbetur edhe pak javë nga fundi.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-fantazisti i Partizanit ka folur në lidhje me dhunën ndaj portierit Frashëri në sfidën ndaj Gjilanit, suksesin e Ilir Dajës në Suharekë dhe ecurinë e “demave” në këtë sezon. Ai u ndal edhe te “fenomeni” Skuka.

Ilir Daja brenda një kohe të shkurtër po e çon Ballkanin drejt titullit. Çfarë e ndihmoi atë që të korrë kaq shpejt sukses?

Për Ilir Dajën si emër besoj nuk ka nevojë të diskutohet, sepse të gjithë ne e dimë punën e tij të madhe që ka bërë prej shumë vitesh. Në momentin që Daja u nda me Partizanin, jam futur direkt në kontakt me të. Në fillim ai mendonte më shumë të pushonte. Neve na u desh të bënim maksimumin për ta bindur dhe në fund ia arrita ta sjell dhe të na bashkohej në projektin që kemi nisur këtu dhe besoj ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme. Pastaj, normalisht, kemi lojtarë cilësorë dhe me një trajner cilësor po ecim mirë dhe shpresoj të bëjmë të pamundurën që në këto 8 ndeshje të marrim maksimumin e pikëve dhe të shpallemi kampionë.

Partizani është zgjuar në ndeshjet e fundit dhe po sulmon fort për Europën. E arrin objektivin?

Partizani ka marrë rezultate të mira në ndeshjet e fundit. Ekipi është në rritje dhe normalisht do të jetë shumë e rëndësishme, sepse edhe Vllaznia e Kukësi po kalojnë një krizë rezultatesh dhe Partizani po e shfrytëzon në maksimum. Në mesjavë kanë ndeshjen e Kupës me Vllazninë dhe me siguri do të tentojnë maksimumin, që në mos jo nga kampionati, ta kapin Europën nga rrugëtimi në Kupë. Nëse këtë sezon nuk do të shkonte në Europë, patjetër që do të ishte zhgënjim i madh për tifozët dhe presidentin Demi.

Cili është favoriti në gjysmëfinalen e nesërme?

Do të jetë një ndeshje e barabartë besoj, sepse edhe Vllaznia po kalon një krizë të madhe dhe nuk po arrin rezultatet e pritura. Për mua ishte i habitshëm largimi i trajnerit Brdariç atje. Gjithsesi, me siguri këtë e kanë menduar mirë kryesia e klubit. Brdariç ka bërë mirë në këto dy vite në Shkodër dhe mendoj se nuk ishte momenti i duhur për ta larguar. Sidoqoftë, besoj se do të jetë një ndeshje shumë e barabartë dhe mund të vendoset edhe nga penalltitë. Pres një ndeshje shumë të luftuar.

Ndodhi për herë të parë në histori të Bundesligës, ndeshja u ndërpre që futbollisti të bëj iftar

Kosova pret Belgjikën, formacionet zyrtare