Nets afër play-offit

Vijon forma fantastike e Brooklyn Nets në NBA. Skuadra e drejtuar nga trajneri Lionel Hollins u ngjit në vendin 8 të konferencës së Lindjes, pozicion që të kualifikon në Play-Off, pasi mundi në derbi New York Knicks 100-98. Kjo ishte fitorja e 5-të radhazi për Brooklyn, pas këtij suksesi formacioni nju-jorkez ka më shumë shanse për tu kualifikuar në Play-Off. Deron Williams me 26 pikë 7 asiste dhe 7 rebound ishte përcaktues për Nets në këtë sfidë.

Në sfidat e tjera të mbrëmjes spikat fitorja e Los Angeles Clippers 126-122 përballë Portland Trail Blazzers në transfertë. Thjeshtë magjike mund të përkufizohet paraqitja e Chris Paul në këtë sfidë. Ylli i skuadrës kaliforniane shënoi në total 41 pikë ndërkohë që ndihmoi Clippers-at edhe me 17 asiste dhe 5 rebound. Akoma edhe më magjik se Chris Paul u shfaq James Harden. 51 pikë 8 rebound dhe 6 asiste koleksionoi ky i fundit në fitoren e Houston Rockets me shifrat 115-111 ndaj Sacramento Kings.