Nesër Drita – Trepça ’89, Duraku e njeh goxha mirë kundërshtarin

Drita – Trepça ’89 është sfida e parë e stinorit pranveror në Raiffeisen Superligë. Takimi luhet nesër në Gjilan.

Trajneri i skuadrës mitrovicase, Fahredin Duraku tregohet diplomat kur është fjala për titull kampioni.

“Trepça si Trepça e ka një lojë ofensive, si vendas ashtu edhe si mysafir. Ne nuk e kemi medoemos vendin e pare. Ne do të mundohemi të luajmë fair play në nivel të lartë. Besoj se me lojë të mirë atraktive, dinamike, rezultatet nuk do të mungojnë. Jemi përgatitur mirë, sidomos në aspektin psikik, pasi është ndeshja e parë”, shprehet Duraku për Gazetën Olle.

Ai lutet që fati këtë herë të jetë në anën e tij. “Në këtë ndeshje të tria rezultatet janë të mundshme. Një ndeshje me tri rezultatet e hapura, si humbja, si barazimi, si fitorja. Lojtarët nuk kanë kurrfarë ngarkese psikologjike, ashtu siç i ka hije Trepçës ‘89. Fati s’ka qenë me ne në 6 muajt e fundit, kurse në futboll pikërisht fati është elementi kryesor, prandaj shpresoj që nesër të jetë në anën tonë”, shtoi Duraku.

Trajneri mitrovicas tregon se e njeh goxha mirë Dritën. “Kam respekt për Dritën. E njoh (Ardian) Limanin shumë mirë, ka qenë përmes meje në Bursa, pastaj (Alban) Shillovën, (Ismet) Ramushin etj. Ne kemi ekip të re dhe të mirë, jemi përforcuar mirë sidomos me (Kreshnik) Lushtakun”.

Trepça ’89 nuk do të ketë mungesa. (Gazeta Olle)