Nëse s’ka vendim të Qeverisë, nuk fillon kampionati

Edicioni i ri i kampionatit të Kosovës në futboll është paraparë të fillojë sot me ndeshjen Trepça ’89 – Arbëria e Dobrajës.

Takimi i paraparë të luhet në ora 16:00 në stadiumin “Riza Lushta”, me gjasë nuk do të luhet fare.

Shkak për këtë është bërë vendimi i Qeverisë së Kosovës, i cili lë në fuqi pezullimin e aktiviteteve sportive, për shkak të përhapjes së pandemisë Covid 19.

Përkundër pritjeve të mbajtjes së një mbledhje të enjten (dje) ose sot të Qeverisë, ajo nuk pritet të ndodhë.

Kryetari i Komisionit të Garave në Federatën e Futbollit të Kosovës, Avdyl Bellopoja, ka deklaruar se kampionati nuk do të nis sot nëse nuk ka një vendim të ri nga Qeveria e Kosovës.

“Ne jemi gati dhe po e presimin vendimin e Qeverisë për zhvillimin e ndeshjeve. Nëse nuk ka vendim të Qeverisë, nuk do të luhet ndeshja (Trepça ’89 – Arbëria)”, ka deklaruar Bellopoja për Gazetën Olle.

Edhe në agjendën e kryeministrisë së Kosovës nuk paralajmërohet nëse sot do të mbahet mbledhja e Qeverisë, që tregon se me shumë gjasë kampionati do të shtyhet sërish.