‘Nëse jemi për titull, e vërtetojmë ndaj Hajvalisë’

Golashënuesi i Besës së Pejës, Kastriot Rexha vlerëson se ndeshja Hajvalia – Besa, do të jetë shumë e rëndësishme për ecurinë e skuadrës pejane.

Hajvalia ka 32 pikë dhe ndodhet në vendin e tretë, aq sa ka edhe Besa në pozitën e katërt. Këto ekipin e pretendojnë titullin. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e vështirë për ne. Kjo ndeshje e vërteton nëse jemi skuadër serioze në ‘luftë’ për titull dhe vazhdimësi. Kam besim të plotë se skuadra do të arrijë rezultat pozitiv në këtë takim”, vlerësoi për Gazetaolle.com, Kastriot Rexha.

Shënuesi i nëntë golave në këtë kampionat, mendon se barazimi nuk do të ishte rezultat i favorshëm për asnjërën skuadër. “Barazimi nuk i konvenon askujt, andaj do të luajmë lojë të hapur dhe pa kalkulime”.

Në pyetjen se a pret që të realizojë në këtë ndeshje, ‘Kasko’ deklaroi: “Premtoj angazhim maksimal dhe shpresoj se do të shënojë”.