Nëse falimenton Parma, Lila kthehet te…

Mund të jetë një tjetër rikthim i bujshëm te Tirana. Andi Lila duket se në fund të këtij sezoni me shumë  mundësi do të jetë afrimi i parë në radhët e bardhebluve, si përforcim i duhur edhe për Kupat e Evropës, objektiv minimal ky i 24 herë kampionëve të vendit.

Duke parë situatën e vështirë ekonomike që po kalon Parma, skuadra në të cilën mbrojtësi i djathtë i Kombëtares u transferua në muajin janar, nuk është aspak çudi që drejtuesit e klubit të arrijnë marrëveshjen me lojtarin kavajas.

Kjo nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy palëve dhe faktin që Andi Lila ka qenë edhe kapiten i bardhebluve përpara se të largohej te Pas Janina.

Klubi grek e huazoi Lilën te Parma, duke qenë se në janar, klubin italian e bleu biznesmeni shqiptar Rezart Taçi. Por pas largimit të këtij të fundit dhe falimentimit të mundshëm të Parmës, duket se të gjithë lojtarët e kësaj skuadre janë drejt largimit, ku përjashtim nuk bën as mbrojtësi kuqezi.

Një tjetër fakt që e bën edhe më të besueshëm faktin e rikthimit të Andi Lilës te Tirana është premtimi që lojtari ka bërë në kohën e largimit të tij nga kryeqytetasit, se në rast se do të luante një ditë në Superligë, do ta bënte një gjë të tillë duke veshur vetëm fanellën bardheblu.

Tashmë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, pasi në rast falimentimi të Parmës, Andi Lila, aktualisht jashtë fushave për shkak dëmtimi mund të qëndrojë vetëm për t’u stërvitur në Itali, ose të arrijë një marrëveshje që deri në fund të sezonit të kthehet te Pas Janina.

Por te skuadra greke, kavajasi nuk do të ketë mundësi të luajë pasi është nën kontratë me klubin italian. Kështu, fundi i këtij sezoni me shumë mundësi do të shihte Andi Lilën me fanellën e Tiranës, duke i shtuar një “armë” më shumë bardhebluve drejt synimeve të kampionatit të ardhshëm.