Nënshtrimi i francezeve përballë Majlinda Kelmendit

Priscilla Gneto pranon se është mbajtur mirë përballë Majlinda Kelmendit. Xhudistja franceze qëndroi për 3:21 minuta në tatami në finale të kampionatit evropian, të enjten e kaluar, në Kazan të Rusisë.

Gneto rezistoi për më shumë se tre minuta luftë, por më pas Kelmendi tregoi se pse është bindshëm më e mira e kategorisë deri 52 kilogramë. Hodhi mjeshtërisht xhudisten franceze dhe e mbylli luftën finale me “Ippon”, përcjell sot Koha Ditore.

Në gjysmëfinale Kelmendi pati punë me një franceze tjetër, shtatlartën Annabelle Euranie. Euranie u mbajt edhe më gjatë, lufta zgjati katër minuta të rregullt. Majlinda fitoi falë dy dënimeve që i kishte Euranie, derisa ajo nuk e kishte asnjë.

Euranie e Gneto janë xhudistet më të mira të Francës në kategorinë deri 52 kilogramë. Franca është forcë në xhudon botërore.

Euranie e Gneto janë lart në renditje dhe në zonën që ua siguron normën olimpike. Por vetëm njëra prej tyre do të jetë në “Rio 2016”.

Dy francezet e njohura kanë edhe një të përbashkët tjetër, pos “luftës” që po e bëjnë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike. Ato asnjëherë nuk kanë fituar ndaj Majlinda Kelmendit. Të dyja e vlerësojnë lart Kelmendin, të cilën një medium i njohur francez e ka quajtur versioni i Teddy Riner te xhudistet..