Albion Rrahmani po kalon ditët e tij të fundit si futbollist i Ballkanit, pasi pritet ta bëj hapin e madh në karrierë.
Sulmuesi kosovar karrierën pritet ta vazhdoj në elitën e futbollit rumun te skuadra e madhe Rapid Bukuresht.
Ka qenë mediumi rumun ‘Fanatik.ro’ që e ka bërë fakt të kryer transferimin e Albion Rrahmani te skuadra e madhe rumune.
Gjithnjë sipas këtij mediumi, shifra që do të paguhet për Rrahmanin te Ballkani është 600 mijë euro, një shifër rekorde për futbollin kosovar pasi asnjë futbollist më parë nuk është larguar për një shumë të tillë.
“Dan Sucu ka paguar 600 mijë euro, Rrahmani vjen në Rapid dhe zyrtarizimi bëhet pas një jave. Duke qenë kosovar është më e vështirë që me atë pasaportë të hysh në Rumani”.
“Njoftimi zyrtar ende mungon, por lajmi është 100 për qind i saktë. Rrahmani është sulmuesi i ri i Rapidit për 600 mijë euro”, ka thënë gazetari i këtij mediumi Horia Ivanovic.
Ballkani do të zhvilloj këtë javë ndeshjen kthyese të Ligës së Konferencës me Larnen dhe kjo ndeshje pritet të jetë e fundit për Albion Rrahmanin me fanellën e Ballkanit.
22-vjeçari ka qenë i pandalshëm sezonin e fundit ku realizoi 30 gola dhe asistoi në tetë të tjerë në 50 ndeshje zyrtare.