Në mars, UEFA e Platinit pret FFK-në

Se ky do të jetë viti i futbollit kosovar, e dëshmon takimi i radhës që pritet të mbahet në selinë e UEFA-s. Shtëpia e futbollit evropian pritet të ftojë edhe zyrtarisht drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës në një takim, që do të ishte i pari pas pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri tregon për takimin me UEFA-n. “Po presim konfirmimin nga UEFA, i cili do të na vijë ne fillim të muajit mars. Do të takohemi me krerët e UEFA-s, nuk e dimë ende se a  do të jetë Michel Platini”, deklaroi Vokrri për gazetaolle.com.

Gjatë këtij takimi pritet të bisedohet për gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga izolimi futbolli kosovar. Më herët është thënë se kampioni i këtij viti në Kosovë, do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.

Përfaqësuesja e Kosovës pritet të luajë në mars miqësoren e radhës. Vokrri thotë se kanë disa opsione. “Jemi duke shikuar. Gjatë këtyre ditëve do të dihet me kënd do të luajmë. Në opsion është luajtja në Kosovë, por edhe jashtë vendit”, shtoi numri një i futbollit kosovar. (Gazeta Olle)