Në Lojërat Evropiane, me 11 sporte dhe 20 sportistë

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë kërkesë që në Lojërat Evropiane, të parat në histori, Kosova të përfshihet në 11 sporte. Institucioni më i lartë sportiv në vend dëshiron t’i dërgojë afro 20 përfaqësues të Kosovës në Baku. KOK-u shpreson që kjo kërkesë t’i aprovohet nga organizatorët

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka intensifikuar punën në muajt e fundit. Drejtuesit e sportit në vend po punojnë rreth Lojërave Evropiane 2015, që do të mbahen këtë verë në Baku të Azerbajxhanit, ku pritet pjesëmarrja edhe e sportistëve kosovarë, shkruan Zëri.

Në këtë eveniment prestigjioz evropian, i cili do të mbahet për herë të parë, do të zhvillohen gara në 20 sporte të ndryshme olimpike. Ndërkaq, kreu i KOK-ut, Besim Hasani, ka bërë kërkesë në Komitetin Olimpik Evropian që Kosova të paraqitet në këtë kompeticion prestigjioz në 11 sporte. Por, gjithçka zyrtarisht rreth kësaj pune do të dihet këtë javë.

“Kam aplikuar në 11 sporte, por gjatë javës do të na japin përgjigjen përfundimtare se me sa sporte dhe sportistë Kosova do të mundë të marrë pjesë në Lojërat Evropiane”, deklaroi Hasani për “Zërin”.

“Komiteti Olimpik Evropian do të konsultohet me Federatat përkatëse ndërkombëtare dhe me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe më pas do të vendosë se me sa sporte do të na pranojnë të marrim pjesë. Ne kemi kërkuar të na lejohet pjesëmarrja me afro 20 sportistë. Unë jam optimist dhe nuk dorëzohem asnjëherë, prandaj shpresoj që në pjesën dërrmuese të sporteve të na lejojnë pjesëmarrjen”, vazhdoi Hasani.

 

Rasti ideal, kualifikimet

kok2

Një pjesë e mirë e sportistëve kosovarë do ta kenë mundësinë që të kualifikohen direkt në Lojërat Evropiane pa e pasur nevojën që të priten Federatat Ndërkombëtare, që t’ju bëjnë ftesa atyre. Hasani e sheh këtë si një mundësi ideale që sportistët ta sigurojnë vetë pjesëmarrjen, pa ndërmjetësim.

“7-8 sporte do t’i kenë kualifikimet në muajt mars e prill, por edhe maj, kështu që sportistët që u përkasin këtyre sporteve, mund ta sigurojnë kualifikimin vetë dhe të mos kenë nevojë të marrin ftesa nga Federatat përkatëse ndërkombëtare”, vazhdoi ai.

Boksi e mundja para xhudos!

Momentalisht, vetëm dy sporte e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Lojërat Evropiane. Kjo pasi këto sporte kanë marrë ftesë nga Federatat Ndërkombëtare e jo pse e kanë siguruar vetë kualifikimin. “Deri tash, boksi e ka të sigurt pjesëmarrjen me dy garues, njëjtë edhe mundja”, vijoi Hasani.

Madje, sipas tij, as xhudoja nuk e ka siguruar ende pjesëmarrjen në Olimpiadë, ndonëse Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova matematikisht e kanë siguruar pjesëmarrjen, nëpërmjet garave kualifikuese. Andaj, prezenca e tyre në Baku nuk vihet në dyshim.

 

Ai nuk deshi t’i tregojë emrat e sporteve dhe sportistëve, të cilët i ka dërguar për pjesëmarrje në Lojërat Evropiane, pasi nuk dëshiron t’i bëjë të shpresojnë sportistët e në fund, eventualisht ta marrin një përgjigje negative nga Komiteti Olimpik Evropian.

Sportet që marrin pjesë në Lojërat Evropiane janë: Noti, Shigjetaria, Atletika, Badmintoni, Basketbolli 3×3, Futbolli në rërë, Boksi, Canoe Sprint (gara me varka), Çiklizmi, Fencing (Lufta me shpata), Gjimnastika, Xhudo, Karateja, Sambo (lloj i mundjes), Qitja, Pingpongu, Taekwondo, Triatloni, Volejbolli dhe Mundja.

Logjikisht, sportet me të cilat mund të marrë pjesë Kosova në evenimentin që mbahet në Baku gjatë verës janë: Boksi, Mundja, Noti, Shigjetaria, Qitja, Pingpongu, Mundja, Gjimnastika, Xhudoja e Karateja.