“Në Kosovë nuk vjen për para, por për humanizëm dhe aventurë” – L’Equipe reportazh nga Prishtina për Jean-Michel Cavalli

Mediumi i njohur francez, L’Equipe, ka zbarkuar në Prishtinë për të përcjellë nga afër punën që po bën trajneri francez, Jean-Michel Cavalli, me klubin e kryeqytetit. 

Në moshën 67- vjeçare, Cavalli vendosi të përqafojë një sfidë të re, duke pranuar ofertën e FC Prishtina me synimin për ta çuar ekipin drejt suksesit në arenën ndërkombëtare, shkruan L’Equipe. 

“Jam këtu për të bërë Evropën”, thotë Cavalli, duke nënvizuar dëshirën e tij për të çuar klubin në kompeticionet evropiane.  

Tutje nuk mungojnë as disa rreshta për Edon Zhegrovën, i cili një pjesë të formimit të tij e kaloi te FC Prishtina. 

Foto: (Franck Faugère/L’Équipe)

Klubi kryeqytetas ka një buxhet prej 2 milionë euro, ndërsa në skuadër ka shtatë kombësi, ndërsa njihet për formimin e talentëve, sic është edhe emri i Edon Zhegrovës. 

Pasioni i tij për futbollin, dashuria për aventura dhe përkushtimi për të ndihmuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj e bën Cavalli-n një figurë të veçantë në botën e futbollit.  

“Që në moshën 32-vjeçare, unë kam stërvitur gjithmonë dhe krenaria ime është që pak kam pasur periudha pa anagazhim”, mburret tekniku 67-vjeçar që ka drejtuar 17 klube në 11 vende të ndyshme, të cilave u shtohen edhe dy përvoja si përzgjedhës i Algjerisë dhe Nigerit.  

“Pasuria e karrierës sime është kjo jetëgjatësi që vlen shumë tituj. Për këtë e dua dhe e respektoj shumë profesionin tim. Mësova të njoh të tjerët, gjuhët, fetë dhe menaxhimet e ndryshme në varësi të kulturave dhe vendeve. Kur njerëzit duan të kuptojnë njëri-tjetrin, gjuha nuk është më një pengesë”. 

Foto: (Franck Faugère/L’Équipe)

“Kam përjetuar momente të shkëlqyera me përzgjedhjet e Algjerisë dhe Nigerit ose me klube si Wydad Casablanca, Al-Hilal, USM Alger, Ittihad d’Alexandrie dhe madje edhe Lille, të cilat i kisha shpëtuar mrekullisht në Ligue 1 në vitin 1996. Gjatë një karriere tridhjetë e pesë vjeçare, duhet të kem kaluar njëzet jashtë vendit”, deklaroi Cavalli për L’Equpie. 

Tutje, ai u ndal te Prishtina, duke thënë se ai nuk ka ardhur për para, por për humanizëm, për të afruar atë që ka mësuar nga futbolli.   

“Më pëlqejnë këto martesa të pamundura si me Prishtinën. Ajo e një djaloshi 67 vjeç që drejton një ekip me një moshë mesatare 22 vjeç me një mori profilesh. Oksigjenin e marr prej andej, nga këta të rinj që dëgjojnë dhe një vend plot entuziazëm që dëshiron të jetojë pas gjithçkaje që ka përjetuar. Në Kosovë nuk vjen për para, por për humanizëm, aventurë dhe përcjellje të asaj që të ka dhënë futbolli”, përfundoi Cavalli rrëfimin e tij. /Telegrafi/ 

Dalin në shitje biletat e Kosovës ndaj Qipros, pritet atmosferë elektrizuese

Dy ikonat e klubeve gjilanase Latifi dhe Kastrati, tregojnë se rivaliteti i derbit po zbehet