Në Gjevgjeli Prishtina s’do të llogaritë në 24 pikët epërsi

Pavarësisht fitores me 24 pikë dallim, Sigal Prishtina po qëndron me këmbë në tokë dhe tashmë ka filluar përgatitjet për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës Ballkanike kundër Kozhuvit maqedonas.

Në ndeshjen e parë, të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë, skuadra bardhekaltër ishte superiore, duke e mbyllur takimin me shifrat 85:61. Me këtë ka bërë një hap të madh drejt finales, por për të prerë biletën, duhet të zhvillojnë edhe ndeshjen e kthimit në Gjevgjeli më 8 prill dhe të fitojnë apo të mos humbin me më shumë se 23 pikë dallim.

Trajneri maqedonas i Sigal Prishtinës, Marjan Ilievski, paralajmëron basketbollistët se duhet të jenë mentalisht të përgatitur për ndeshjen e kthimit ndaj Kozhuvit. Ai thotë se skuadra e Kozhuvit do ta ketë përkrahjen e gjithë qytetit në këtë ndeshje dhe thotë se është me rëndësi që basketbollistët e Sigal Prishtinës të mos bien në atmosferën e krijuar. Nuk përjashtohen as fyerjet e provokimet.
“Lojtarët janë profesionistë të vërtetë dhe besoj se do të jenë të përgatitur mentalisht për ndeshjen e dytë. E kemi parasysh se Kozhuvi do ta ketë përkrahjen e gjithë qytetit dhe nuk duhet të biem në atë atmosferë, e as në provokime eventuale. Ne gjithmonë jemi të lumtur të luajmë në palestra të stërmbushura dhe këtë do ta dëshmojmë edhe kësaj here”, u shpreh Ilievski për Koha Ditore.