Në FFK po mbahet seminari dyditor me trajnerët e klubeve të Superligës së femrave

Në kuadër të projekteve të ndryshme të Federatës së Futbollit të Kosovës për masovizimin dhe zhvillimin e futbollit të vajzave/grave, sot, ka filluar seminari dyditor me trajnerët e klubeve të Superligës.

Në këtë seminar krahas drejtorit teknik, Albert Bunjaki, po ligjërojnë edhe përzgjedhësja e Kombëtares A, Anneli Andersen, ndihmësja Katarina Olsson, drejtoresha e Departamentit të trajnimeve, Sanije Krasniqi dhe trajneri kondicional i Kombëtares, Lekë Tërmkolli. Qëllimi i këtij seminari është afrimi i klubeve të Superligës me Kombëtaren A, transmetimi i përvojës se secilit prej ligjëruesve tek trajnerët, metodologjia e punës në ekipin kombëtar, ana taktike dhe ajo analitike, por edhe diskutime të ndryshme mbi projekte që mund të shërbejnë në avancimin e futbollit të vajzave/grave.

Krahas ligjërimeve, trajnerët e klubeve të Superligës do të kenë mundësi të përcjellin nga afër se si organizohet një kamp/grumbullim i Kombëtares A, duke përfshirë këtu edhe vëzhgimin e seancave stërvitore, teorike dhe analitike dhe më pas t’i diskutojnë së bashku me ligjëruesit gjatë punimeve të seminarit. Drejtori teknik, Albert Bunjaki, ka thënë se ndër prioritetet e FFK-së ka qenë dhe është masovizimi dhe përparimi i futbollit të vajzave dhe grave. Sipas tij, synimi për të pasur një ekip kombëtar më cilësor duhet të nisë duke e bërë shtrirjen e futbollit në tërë vendin tek vajzat e reja, indentifikimin e talenteve, duke krijuar kushte më të mira në klube dhe duke e rritur intensitetin e lojës dhe cilësinë e ligës.

Bunjaki, tutje ka thënë se pikërisht për këtë arsye është bërë edhe organizimi i këtij seminari, në mënyrë që të shfrytëzohet dija dhe përvoja e trajnereve të Kombëtares për t’u transmetuar tek trajnerët e klubeve tona, por edhe të shihet nga afër se si punohet gjatë një grumbullimi të ekipit kombëtar.

Lushtaku kërkon falje për shprehjen e gabuar ndaj Elton Cales: Kush më njeh e di shumë mirë respektin që kam për çdo futbollistë

Zyrtare: Antony transferohet te Manchester United