Ndriqim Krasniqi, talenti kosovar i Bonner SC që synon të luajë për Kosovën

Ndriqim Krasniqi është njëri nga futbollistët e shumtë nga Kosova që po e vazhdon suksesshëm karrierën në Gjermani.

18-vjeçari me prejardhje nga Kaçaniku luan me ekipin U-19 të Bonner SC. Më parë ka luajtur edhe me Alemannia Aachen dhe Viktoria Koln. Ai është mesfushor, por që luan edhe në qendër të mbrojtjes, varësisht nga kërkesat e trajnerit. Teknika, qetësia dhe kontrolla e topit, si dhe loja mbrojtëse, janë disa nga karakteristikat që e dallojnë.

“Kam filluar karrierën në moshën 6-vjeçare, dhe që atëherë nuk i jam ndarë futbollit. Momentalisht luaj me Bonner SC U-19, ndërsa synimi është që me punë dhe suksese të transferohem në ndonjë skuadër më të madhe dhe të arrijë në nivelet e larta në Bundesligë”, thotë flokëgjati Krasniqi për Gazetën Olle

Ndriqimi është grumbulluar një herë me grupmoshat e reja të Kosovës, derisa ndodhej në vendlindje.

“Pres të më jepet sërish rasti në ndonjë nga grumbullimet në Gjermani ose Kosovë. Prejardhjen e kam nga Kosova dhe do të isha krenar nëse do të më jepej mundësia ta përfaqësojë vendin e prejardhjes time”, shton Krasniqi.

Lojtari i tij i preferuar është Toni Kroos, ndërsa në të ardhmen synon të luajë edhe në Premier Ligën angleze.