Ndodh në Kosovë, gjyqtari e mbyll pjesën e parë pas 35 minutave!

Derbi i Mitrovicës ndërmjet Trepçës’89 dhe Trepçës (3:1) përveç se ka dhuruar katër gola për dashamirët e futbollit është karakterizuar edhe me dy skena qesharake. Në fakt, gjyqtari i ndeshjes Hajriz Hajdari ka vërshëllyer gabimisht përfundimin e pjesës së parë pas 35 minutash lojë, raporton Futbolli.info.

Kur futbollistët filluan rrugën për në zhveshtore, asistenti reagoi me kohë duke i treguar gjyqtarit kryesor se kishin mbetur edhe 10 minuta lojë në këtë pjesë. Me të kuptuar gabimin Hajriz Hajdari i ftoi futbollistët që ta vazhdojnë lojën për minutat e mbetur, duke kërkuar falje për këtë gabim teknik.

Ai pas ndeshjes këtë gabim e ka arsyetuar me faktin që ndeshja kishte nisur me vonesë prej tetë minutash dhe në fund e ka harruar krejt këtë fakt.

Ndërkohë, përveç këtij episodi në këtë ndeshje është shënuar edhe një skenë tjetër interesante kur në fushën e gjelbër është paraqitur një qen, i cili e ka kafshuar topin. E pra, kush thotë se futbolli Kosovar nuk është interesant!!!