Ndeshje spektakolare në Gjakovë, Vëllaznimi mposht Rahovecin pas dy vazhdimeve

Vëllaznimi e ka mundur Rahovecin 94:87 (22:19, 26:26, 20:17, 9:15, 17:10), në xhiron e dytë të Prince Caffe Superligës. Kjo ishte fitorja e parë për kuqezinjtë në elitë këtë edicion, ndërsa Vreshtarët kanë një fitore e një humbje.

Sfida ka qenë e jashtëzakonshme dhe është vendosur pas dy vazhdimeve.

Vendasit të motivuar nga përkrahja e tifozëve vendas, e nisën për mrekulli ndeshjen, me një seri prej 10:0, por më pas Vreshtarët u rikthyen për të ngushtuar shifrat, ndërsa çereku i parë përfundon 22:19. Periudha e dytë ishte e barabartë, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, ndërsa shkuan në pushim me shifrat 48:45.

Në periodën e tretë, kuqezinjtë për një nuancë shumë të vogël ishin më të mirë se mysafirët, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 68:62. Por, drama ndodhi në fund.

Epërsia e vendasve u ngrit në 11 pikë, 75:64, që ishte më e larta në ndeshje, pesë minuta nga fundi, por rahovecasit nuk u dorëzuan dhe luftuan deri në fund, ku me një seri të suksesshme barazuan shifrat në 77:77, sa përfundoi koha e rregullt, ndonëse kishin edhe një mundësi në fund, por që nuk e shfrytëzuan.

Edhe në vazhdimin e parë u zhvillua lojë e barabartë, 7:7 dhe skuadrat shkuan në vazhdimin e dytë. Por, në vazhdimin e dytë, kuqezinjtë ishin më të mirë, 10:3 dhe triumfuan 94:87.

Te Vëllaznimi u dalluan Damonte Dodd me 15 pikë, 20 kërcime, pesë asistime dhe nëntë bllokada dhe William Brown me 18 pikë e nëntë kërcime, kurse te Rahoveci u dalluan Jahi Carson me 26 pikë e pesë kërcime, Chris Seeley me 12 pikë e 14 kërcime dhe Musab Mala me 19 pikë e gjashtë kërcime.

Kosova pëson humbje minimale nga Holanda

Napoli merr fitore të madhe në udhëtim te Milani