“Ndeshje pas ndeshje, drejt Superligës”

Skuadra e Ferizajt do e nisë aty ku e la në vjeshtë. Luftën për rikthimin në elitën e futbollit kosovar do e nisë nga pozita e parë, derisa në kuadër të javës së gjashtëmbëdhjetë e pret skuadrën e Luftëtarit.

Trajneri i kësaj skuadre, Agron Selmani, ka folur për ecurinë e punës që ka kaluar Ferizaj gjatë përgatitjeve dhe sfidat për stinorin pranveror.

“Ecuria e punës në skuadrën e Ferizajt po shkon në suaza të normales edhe pse gjatë këtij afati kalimtar ka patur lëvizje të ndryshme të lojtarëve. Jemi munduar të ruajmë bërthamën e skusadrës, të cilët kanë bartur peshën kryesore gjatë stinorit vjeshtor”, ka theksuar Selmani për Gazeta Sheshi.

Skuadra e tij këtë vikend do përballet me skuadrën nga fundi i tabelës Luftëtari, mirëpo për Selmanin nuk ka kundërshtar të lehtë.

“Ne kemi një strategji të matur, me ç’rast marrim ndeshjet një nga një, duke mos nënqmuar asnjë kundërshtar. Normalisht synimi ynë në këtë përballje si në çdo ndeshje tjetër është fitorja, pasi që synojmë të rikthehmi në Superligë”, ka potencuar Selmani.

Krahas garave në kampionat, skuadra e Selmanit synon që të shkojë sa më larg në garat e Kupës.

Ferizaj do përballet me Trepçën ’89 në kuadër të çerekfinales së kupë kupës.