Dinamo e Ferizajt ka arritur të bëj mrekulli, duke u inkuadruar në Ligën e Parë të Kosovës.
Skuadra nga Ferizaj në ndeshjen direkt e ka mposhtur KEK-un me rezultat 3-1, duke u barazuar me nga 76 pikë.
Fitorja e ferizajasve do të thotë se ata mund ta quajnë vetën anëtarët më të rinj të Ligës së Parë së bashku me Shkëndijën e Hajvalisë, edhe pse ka mbetur edhe një xhiro deri në fund, por duket e vështirë për të ndodhur e kundërta.
Ka qenë një spektakël futbolli në Ferizaj, ku mijëra tifozë kishin mbushur stadiumin e qytetit duke i dhënë përkrahje të madhe Dinamos.
Në ndeshjen e fazës së parë të zhvilluar në Kastriot KEK-u dhe Dinamo kishin luajtur baras 2-2, derisa klubi ferizajas tani ka bilanc më të mirë në ndeshje direkte.
Ferizajasit do t’i marrin tre pikë në xhiron e fundit pasi do ta kenë përballë Besën e Pejës që është tërhequr nga garat.
Kujtojmë që te Dinamo luajnë shumë ish-lojtarë që kanë bërë karrierë edhe në elitën e futbollit kosovar. /Gazeta Olle/