Goli i bukur i shënuar nga kapiteni Hamdi Namani në minutën e 90-të, ishte afër që t’ia siguronte Llapit fitoren e parë pas shtatë ndeshjeve rresht.
Por, shënimi i Namanit nuk i mjaftoi Llapit të trajnerit Tahir Batatina, që pranoi gol në minutën e 99-të nga Marko Musolin i Ferizajt. Kiqina ishte i saktë nga penalltia dhe goli i tij e vendosi sfidën.
Llapi dhe Ferizaj në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, barazuan 1:1, në ndeshjen e xhiros së 15-të të Superligës.
Llapi tani mbetet pa fitore në tetë ndeshjet e fundit.
Ka katër barazime e po aq humbje.
Ferizaj nga minuta e 50-të luajti me një futbollist më pak në fushë, pasi direkt me të kuq pas rishikimit të situatës në VAR, u ndëshkua qendërmbrojtësi Ermin Imamoviq.
Për Ferizajn ishte barazimi i tretë në pesë ndeshjet e fundit, ku i ka edhe dy humbje.
Llapi në krizë të rezultateve është në vendin e shtatë me 17 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e tetë, me një ndeshje më pak të luajtur.
17 pikë i ka edhe Gjilani në vendin e gjashtë. Edhe Gjilani e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Ferizaj në 15 ndeshje ka 16 pikë dhe zë vendin e parafundit.