Nderohet Eto’o

Samuel Eto’o nderohet me medaljen e tolerancës për punën e madhe që ka bërë gjatë këtyre viteve në luftën kundër racizmit. Çmimi iu akordua sulmuesit të Sampodrias nga Këshilli Europian i Tolerancës dhe Bashkëjetesës në mbrëmjen gala kundër racizmit që u mbajt në Kensington Palace në Londër ku Eto’o shoqërohej edhe nga ish futbollisti portugez, Deco dhe lojtari belg i Chelsea-it, Eden Hazard. Racizmi është një problematikë të cilën FIFA dhe UEFA dëshirojnë ta luftojnë me cdo kusht, dhe për futbollistët me ngjyrë nuk mund të kishte një përfaqësues më të mirë se Eto’o në luftën kundër tij.

Deco dhe Hazard janë dy nga personazhet kryesore që kanë mbështetur kamerunasin gjatë gjithë kësaj periudhë në punën e madhe që ai ka bërë në luftën kundër racizmit. Pas marrjes së çmimit i intervistuar nga mediat e pranishme në Kensington Palace, Eto’o refuzoi të kritikonte FIFA-n pasi sipas tij qeveria e futbollit botëror po bën gjithçka për ta luftuar këtë problematikë që gjatë viteve të fundit ka qenë në shumë raste prezente në fushat e futbollit.

Ashtu si Eto’o edhe portugezi Deco u mor në pyetje nga gazetarët e pranishëm në sallë. Për presidencën e FIFA-s do të garojë ish shoku i tij në kombëtare Luis Figo, i cili kërkon të rrëzojë mbretërimin disa-vjecar të Sepp Blatter. Megjithatë i pyetur nëse Figo mund të bëjë më mirë se 79-vjecari zviceran në luftën kundër racizmit Deco nuk dha një përgjigje të saktë ndërkohë që i uroi fat 42-vjecarit luzitan në garën për presidencën e FIFA-s.