Ndërkombëtarizohet edhe një federatë

Federata e Kick-Boksit të Kosovës pritet të pranohet në Federatën Evropiane të Kick-Boksit sot, maksimum nesër, shkruan Zëri, në mbledhjen e Bordit të kësaj të fundit, që do të mbahet në Stamboll.

 

Kryetari i kësaj Federate, Fatmir Makolli, së bashku me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, e kanë marrë sot rrugën drejt Turqisë, për ta marrë lajmin e shumëpritur.

 

“Unë e kam marrë një ftesë që të jem prezent në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Kick-Boksit. Kjo e fundit pritet të na pranojë të martën, maksimumi të mërkurën, ndërsa më pas automatikisht, një ditë më pas, pritet të na pranojë edhe Federata Ndërkombëtare e Kick-Boksit. Besoj se këtë radhë, do të kryhet gjithçka”, thotë për “Zërin” kryetari Makolli.

 

Hasani: Kick-Boksi, sporti i radhës që do pranohet

 

Edhe kreu i KOK-ut, Besim Hasani, shprehet optimist se Federata e Kick-Boksit do të pranohet ndërkombëtarisht. “Do të jemi të pranishëm bashkë me Fatmirin, në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv, që do të mbahet të martën dhe të mërkurën. Fillimisht, Federata Evropiane e Kick-Boksit pritet ta pranojë përkohësisht Federatën e Kick-Boksit të Kosovës, ndërsa do t’ia propozojë Federatës Ndërkombëtare të Kick-Boksit që ta pranojë Federatën tonë me të drejta të plota, të nesërmen”, theksoi Hasani.

 

Federatave të ndryshme kosovare iu hapën dyert që kur KOK-u u bë pjesë e IOC-së, në dhjetor të vitit të kaluar. Nga ajo kohë janë pranuar Federata e Gjimnastikës, e Karatesë, Mundjes dhe së fundmi e Basketbollit.

 

E Federata e Kick-Boksit pritet të jetë e radhës që pranohet. Pas saj, mund të festojë Federata e Tenisit. Më parë ishin ndërkombëtarizuar edhe Peshëngritja, Shigjetaria, Xhudoja, Lundrimi, Pentatloni Modern, Karlingu, Skijimi, Taekwondo, Hendbolli e Boksi. Rrugën e tyre gjatë këtij viti do ta ndjekin edhe federatat e tjera. Pengesa më s’ka.