NBA, New Orleans rrezikon playoffin

Pas disfatës në derbi kundër San Antonios, Houston rigjen rrugën e suksesit pasi kaloi New Orleans Pelicans 121-114 duke i dhënë një shuplakë ekipit nga Louisiana që lufton për një vend në play off. Teksanët morën kryesimin që në periodën e parë, ndërsa pelikanët u rikthyen të karikuar në të dytën ku krijuan një diferencë prej 10 pikësh.

Gjithsesi, Houston nuk u dorëzua pasi James Harden kaloi Quincy Pondexter në sekondat e fundit të pjesës së parë për të rikthyer në avantazh miqtë. Ndeshja u bë edhe më e ndezur me New Orleans që mori sërish kryesimin 80-71 ku Anthony Davis që e mbylli mbremjen me 27 pikë dhuroi disa kosha spektakolarë. Në krahun tjetër replikoi Harden me 30 pikë personale, ndërsa Dwight Howard doli në skenë gjatë minutave të fundit për t’i dhënë një ndihmë të madhe ekipit teksan, transmeton supersport.al.

Shtatlarti i Houston e mbylli mbremjen me 19 pikë dhe 11 ribaunde. Me këtë sukses, Spursat mbeten në vendin e 6 të Konferencës së Perëndimit, ndërsa Neë Orleans mbetet në të tetin por me të njëjtin numër fitoresh si Oklahoma City e cila rrezikon t’i rrëmbejë edhe biletën e fundit për në play off edhe pse nuk arriti të fitonte ndaj Indianas ku u mposht 104-116.

Në takimet e tjera, Milwaukee kaloi Brooklyn 96-73, Cleveland ra në fushën e Boston 78-117, Detroit shkatërroi Chicagon 116-77, Denver u imponua në Sacramento 122-111, Washington i dha një leksion Atlantas 108-99, San Antonio vijoi ecurinë pozitive kundër Phoenix ku fitoi 107-91, ndërsa Dallas triumfoi ndaj Los Angeles Lakers 120-106.