Natë evropiane në Pejë dhe Mitrovicë, dy skuadrat kosovare presin nikoqirët

Kampionia e Kosovës, Peja dhe fituesja e Kupës e Superkupës së Kosovës, Trepça sonte do të kenë ndeshjen e parë në shtëpi në grupet e FIBA Europe Cup.

Pejanët do të ndeshen me skuadrën e njohur holandeze, Heroes Den Bosch, në takimin që zhvillohet nga ora 19:00.

Peja në sfidën e parë ishte mundur nga skuadra gjermane NINERS Chemnitz 98:72, kurse Heroes Den Bosh ishte mposhtur nga GE Spojnia Stargard me rezultat 89:92.

Kampionët e Kosovës ishin në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por kishin pësuar nga kampionët e shumëfishtë të Danimarkës, Bakken Bears Aarhus, 103:79.

Verdhezinjtë kanë ftuar tifozët për përkrahje, në spektaklin e basketbollit, që pritet të jetë të mërkurën mbrëma në ‘Karagaçi’, ku lojtarët më shumë se kurrë kanë nevojë për përkrahjen e tyre.

Ndeshje dhe datë historike për Trepçën. Klubi mitrovicas për herë të parë do të garojë në grupet e FIBA Europe Cup.

Mitrovicasit të mërkurën nga ora 19:00 do të përballen me ZZ Leiden nga Holanda.

Ky është takimi i parë për ‘Xehetarët’ në FIBA Europe Cup, pasi javën e kaluar sfida me skuadrën izraelite Hapoel Galil Elion nuk u zhvillua, për shkak të situatës në Izrael.

Ndërkohë, holandezët e nisën me fitore duke mundur BCM Gravelines Dunkerque me shifrat 77:69.

Atmosfera në Mitrovicë pritet të jetë ‘elektrizuese’ për sfidën evropiane. Mitrovicasit edicionin e kaluar ishin në kualifikime për grupet e FIBA Europe Cup, por nuk ia arritën qëllimit të hyjnë në grupe, që e arritën këtë vit në Estoni.

 

Akil Gjakova i pandalshëm, kalon në gjysmëfinale të Grand Slamit në Abu Dabi

Akil Gjakova i siguron Kosovës medalje, kalon në finale të Grand Slamit në Abu Dabi