Musolli për Superligën e Kosovës: Ka qenë konkurues por edhe shumë i zhurmshëm, si shkak të ndeshjeve të dyshuara për trukime

Kapiteni i Kukësit, Besar Musolli ka shkëlqyer në fanellën e kësaj skuadre këtë edicion, ku luan për shumë vite.

Në një intervistë për ‘Fax Sport’, mesfushori nga Podujeva ka folur për rrjedhën e kampionatit si dhe mundësin e ndryshimit të ekipit gjatë kësaj vere, shkruan Gazeta Olle.

“Ka ndodhur ndonjëherë që sikur e kemi nënvlerësuar kundërshtarin. Shumë pikë i kemi lënë me Gjirokastrën, Shkodrën e të tjerë. Ndërsa në ndeshje deçizive kemi treguar çfarë force kemi. Stadiumi pa diskutim është faktori kryesor. Kemi vite që shëtisim në stadium të ndryshme.

Kemi pasur disa ndeshje premio. Si në ndeshjen e kupës ashtu edhe me Tiranën dhe Partizanin. Edhe për Kupë kishim premio, por nuk ishte fati që ta merrnim. Ne si grup kemi qenë i shkëlqyer. Mirëpo vetëvetiu disa çuna të rinj e pa përvojë mund të kenë sjellë një presion. Të qetë ishim edhe ndeshjen e parë në Gjirokastër, por humbëm pikë. Duhet ta vlerësosh kundërshtarin në maksimum që të marrësh atë që dëshiron. Do të ikim atje vetëm me qëllimin për ta përmbyllur në vendin e dytë tashmë. Nuk ka rrugë tjetër veç fitores.

Ajo që më takon mua si kapiten është që lojtarët që kanë dalë kampion te Tirana i kam uruar personalisht. Nuk është lajm i mirë për futbollin në Shqipëri nëse Tirana dënohet. Nuk i gëzohem shumë këtij fakti.

Unë kam vite këtu dhe fatkeqësisht kam ndërruar shumë lojtarë. Kjo nuk është që e mirë, por i takon klubit. Megjithatë çdo vit kemi qenë konkurues. Në kontratën time tani bën pjesë edhe familja ime, sepse ata sakrifikojnë shumë për mua. Objekivi është të përfundojmë kampionatin me sukses.

Pas Kupave të Europës do ulem të diskutoj dhe ku i dihet, mund të kthehem në Kosovë. Gjithmonë për ndonjë arsye familjare, sepse këtu ndihem si në shtëpinë time.

Kampionati në Kosovë ka qenë konkurues por edhe shumë i zhurmshëm. Kjo për shkak të ndeshjeve të dyshuara për trukime. Kam ndjekur ndeshje personalisht dhe nuk më pëlqen ajo çfarë kam parë. Nuk dua t’i përmend me emra. Me atë çfarë kam parë më vjen shumë keq. Unë kam 8 vite këtu dhe pjesën e rinisë e ka kaluar shumë qetë. Nuk e di çfarë është të kesh presion. Unë me të gjithë trajnerët kam pasur një marrëdhënie të përkryer, përveç një braziliani. Me atë nuk kam pasur marrëdhënie të mira. Me të tjerë shqiptarët kam pasur një marrëdhënie perfekte. Pengu im janë grupet e Kupave të Europës. Shpresoj të jetë momenti tani, ku i dihet”, ka deklaruar Besar Musolli.