Drita dhe Ballkani vazhdojnë sot rrugëtimin në kualifikimet për Uefa Europa Conference League.
Dy skuadrat kosovare janë në disavantazh ndaj kundërshtarëve të tyre pas ndeshjeve të para pasi pësuan humbje me rezultat 1-0, shkruan GazetaBlic Sport.
Drita kërkon përmbysjen në shtëpi ndaj Audës në duelin që zhvillohet në “Fadil Vokrri” nga ora 20:00, teksa Ballkani kualifikimin tutje e kërkon në transfertë ndaj Larnes në ndeshjen që nis nga ora 21:00.
Kushtrim Mushica në një intervistë për GazetaBlic Sport, deklaroi se pret që Drita dhe Ballkani të avancojnë tutje, teksa thotë se këtë vit e sheh Dritën si skuadër më stabile pasi sipas tij te Ballkani ka pasur ndryshime të mëdha në ekip.
“Drita pret një skuadër e cila ka avantazhin minimal nga ndeshja e parë, ku e shoh si një duel ku Drita është favorit. Mendoj që rezultati i ndeshjes së parë nuk ishte real. Në shtëpi edhe pse jashtë qytetit të tyre, është paralajmëruar një përkrahje e madhe nga gjilanasit, por edhe nga qytetarët e tjerë. Me disa individë që i ka Drita mendoj që do të jenë të aftë ta vulosin takimin brenda 90 minutave, me një rezultat me avantazh më shumë se 1-0. Drita ka një kundërshtarë të radhës më të vështirë në playoff, por e shoh Dritën si një skuadër më stabile sesa Ballkani në këtë vit dhe me përforcimet që kanë bërë mendoj që mund t’i kemi dy ekipe në fazën e grupeve. Lejimi i skuadrave kosovare që t’i shtyejnë ndeshjet e Superligës mendoj që është pozitive pasi paraqitjet e mira në kompeticionet evropiane bëjnë që të gjitha ekipet kosovare të përfitojnë edhe në mënyrë indirekte. Është një praktikë që është përdorur edhe më herët nga Ballkani andaj e shoh si një gjë pozitive“, tha ai.
“Ballkani nuk është më skuadra e para dy viteve. Skuadra e Larnes kishte pësuar me rezultat të thellë nga Ballkani në të kaluarën, por tashmë ka shumë lëvizje janë larguar shumë lojtarë që e kanë bartur barrën te Ballkani. Në ndeshjen e parë patën mundësi të mira, pritej që në çdo moment të shënonin, por në fund pësuan. Ballkani tash ka barrën që ta përmbysin rezultatin në transfertë, kundërshtari ka një avantazh, por me përvojnë që ka skuadra kosovare në garat evropiane besoj që mund të kualifikohen tutje”, përfundoi Mushica për GazetaBlic Sport.