Mushica: Dita e mirë shihet në mëngjes

Prishtina e rinisi furishëm kampionatin duke arritur fitore në Gjakovë përballë Vëllaznimit me shifrat 2:0. ‘Gardiani’ prishtinas, Kushtrim Mushica e komenton nisjen e mbarë të kampionatit teksa nis bisedën për Gazetën ‘Olle’ me një thënie të ‘moçme’. “Nëse e marrim parasysh thënien ‘dita e mirë shihet në mëngjes’, atëherë punë është mirë. E kaluam një sfidë përballë një rivali të vjetër ku gjithmonë pa marrë parasysh situatën që kalon Vëllaznimi, ata gjithmonë mobilizohen dhe motivohen kundër Prishtinës”, ka deklaruar një ndër portierët më cilësor që aktivizohet në futbollin e Kosovës, Kushtrim Mushcia.

Sipas ‘Mimit’, Prishtina është përforcuar me lojtarët e duhur. “Jemi përforcuar me disa futbollistë cilësor e ku më së shumti kemi pasur nevojë, në sulm. Me ardhjen e dyshes së Vushtrrisë (Labinot Osmani e Bashkim Shala) do ta kemi më të lehtë shënimin e golave”, potencoi ai.

Në fund, portieri i Përfaqësueses së Kosovës foli edhe për rivalët për titull. “Feronikelin, Hajvalinë dhe Trepçën ’89 i shikoj rival”, përfundoi Mushica.